D(r)ita ime

…E sheh miku, dalldisem nga inspirimi dhe shkruaj gjatë via mail, por kjo nuk të obligon t’më shkruash sa herë që unë “zgjatem”; zët e kam kur gjërat s’bëhen nga qejfi, por nga obligimi, kuptimi apo sido që të emërtohet. Mjaftohem që relaksohesh duke më përcjellur e që edhe shihet, edhe (me tepër) ndihet ndërmjet përgjigjeve tua të bukura, të shkurtra…

Më mbeti tabijat të shkruaj gjatë që nga fillimi i korrespodencës së dendur me një mike të afërt, në tema të ndryshme: nga politika deri te të kuptuarit e dashurisë…Ndonjëherë i rilexoj letrat e saj, ndonjëherë edhe të miat dhe shpesh bindem, posaçërisht shkaku i cilësisë së pjesës së saj të letërshkëmbimit, se nga kjo do dalë një ditë libër epistolar. Librat e tillë, të rrallë ndër ne, në parim dëshmojnë kontekstin, atmosferën dhe personazhet e Kohës më ndryshe dhe ndoshta në mënyrë më të sinqertë, pra më të plotë se raportimet mediale.

…të mbeta borxh përgjigje për Mbrëmjen perfekte… po, ke të drejtë se asaj mbrëmjeje i mungonte vetëm një gjë që të jetë perfekte.
Ishte 12 maj dhe unë isha në pritje të diçkaje të bukur, ndonjëherë pritja është më e bukur se sa realizimi…ama jo përherë.
Siq thuhet, ndonjëherë rrugëtimi është më i bukur se sa caku…por prap, jo përherë, merre për lëvdatë.
Tash vërtet bëj mire pak të tërhiqem, një “tërheqje taktike”.
Ndërkohë, deri në letrën e rradhës:
Do vazhdoj të shkruaj se në tetor duhet dorëzuar dorëshkrimin e librit debutues (kjo debutues tingëllon mire në këtë moshë, nëse e marr nga ana pozitive, kurse tjetër herë do përpiqem të flas për kënaqësinë kulmore të aktit të shkrimit, e pakrahasueshme me satisfakcionet tjera të punës)
Kuptohet, s’do lë anash kafenë e mëngesit në Irish pub apo Çarshi, përherë vetëm. Më pëlqen kur s’jemi numër në kafene, kur na njohin me emër, kafenetë ku e kemi këndin tonë, ku pa porositur na e sjellin pijen. Kështu krijohet tradita, thotë Luli.
Do fillojmë të realizojmë mbrëmjet poetike dhe filmike mbështetur nga komuna Çair: poetët më të mirë shqiptarë do lexojnë myxheverët e vet, pa ceremoni, kurse katër filma artistikë europianë do shfaqen në Librarinë e Çarshisë dhe çajtoren Laçi, shoqëruar me koktej promovues për delikateset e lira dhe mira të pjesës më të bukur të qytetit, oazë normaliteti, posaçërisht pas risive matanë Vardarit.
Do ta takoj ambasadorin e posaemëruar shqiptar për një ide të shkëmbimit kulturor me shtetin amë (detajet më vonë që të mos dëgjojë dreqi, ai veshëmadhi, e them nga përvoja).
Do pres lajme nga Tirana per Top channel, nëse bëhet kismet kjo do të jetë për kameramanin Vishko dhe për mua kthim përmes Portës së madhe, like it.
Do kalojmë mirë me vajzën e tezes që vjen bujshem nja një javë, dhe sa herë më sjell fat, m’i debllokon energjitë, çdoherë vjen me plot nafakë: kushërira ime është rrëfim ekzakt për kaderin, sakrificat e prindërve, gabimet fatale të sedrës mjekësore, guximin e tezes sime të ndjerë që ta integrojë në shoqëri…është rrëfim për humanitetin që përherë ngadhnjen, s’ka si të mos ngadhnjejë, ashtu si e keqja që më së shumti e dëmton atë që e ushqen të keqen…
Ika tash miku, ve yaz bayin llaf.

Lajme të ngjashme

Back to top button