Osmani dhe Milkov vizituan të sulmuarin nga Ohri, bënë thirrje për t’i dhënë fund dhunës dhe provokimeve nga të dyja palët

Duhet ta ndalojmë këtë cikël dhune dhe provokimesh nga të dyja palët dhe të imponojmë agjendën tonë pozitive që të dyja qeveritë po përpiqen ta ndërtojnë me përkushtim, tha ministri i Jashtëm Bujar Osmani nga Sofja, ku së bashku me kolegun e tij bullgar Nikolai Milkov vizituan shtetasin e sulmuar nga RMV-ja në Ohër, Hristijan Pendikov, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Osmani tha se institucionet në Maqedoninë e Veriut do ta zbardhin incidentin dhe komuniteti bullgar do të respektohet dhe do t’i ketë të gjitha të drejtat, liritë dhe privilegjet si çdo qytetar tjetër dhe komunitetet tjera që jetojnë në vend. Ai apeloi që të ndalen provokimet nga të dyja palët.

“Së pari, ne nuk do të lejojmë mohimin e komunitetit bullgar, siç nuk do të lejojmë mohimin e popullit maqedonas. Prandaj, dua të dërgoj një mesazh që edhe ato provokime të ndalen dhe të theksoj se çdo ardhje në Maqedoninë e Veriut me qëllim të fyerjes dhe mohimit të popullit maqedonas, do të duhet ta trajtojmë seriozisht”, ka thënë Osmani.

Ai dënoi edhe një herë incidentin me sekretarin e klubit bullgar “Car Borisi i Tretë”, por tha gjithashtu se Maqedonia e Veriut do të reagojë nëse provokimet e politikanëve nga Bullgaria vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke aluduar për eurodeputetin Angell Xhambaski.

“Sot fokusi është dhuna ndaj të krishterëve, të cilën ne e dënojmë, por edhe provokimi i politikanëve që vijnë në Shkup dhe mohojnë popullin maqedonas, duhet ta ndalojmë atë dhe duhet të ndalet rrethi vicioz në të cilin kemi hyrë. Sepse kjo ndoshta do të jetë ardhja e fundit e kujtdo që fyen maqedonasit dhe çdo popull tjetër, pasi ne nuk do të lejojmë fyerje dhe dhunë ndaj komunitetit bullgar”, tha Osmani.

Ministri bullgar Milkov tha se nuk duhet toleruar atmosfera e mosndëshkimit. Bullgaria këmbëngul që sulmuesit e Pendikovit të zbulohen dhe të ndëshkohen.

Hristian Pendikov vuajti për shkak të ideve të tij, një njeri me një kauzë që mbron. Situata nuk duhet të vazhdojë kështu. Bullgaria këmbëngul me vendosmëri që autorët e kësaj dhe akteve të tjera të ngjashme të ndëshkohen. Unë jam këtu për t’i thënë jo kthimit të atyre traditave të zeza që historikisht janë të lidhura me dhunën në Maqedoni, gjëra të tilla nuk kanë vend në Evropë dhe ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar. Fatkeqësisht gjërat nuk po shkojnë mirë. Siç mund ta shihni ka një përshkallëzim, Hrisitjan vazhdon të marrë kërcënime në internet të cilat janë të tmerrshme dhe unë nuk do t’i citoj ato”, tha Milkov.

Pendikov, i cili është shtetas maqedonas, i cili deklarohet si bullgar dhe është sekretar i klubit bullgar “Car Boris Treti” në Ohër, pardje është transportuar në spitalin e Sofjes me një aeroplan qeveritar të Bullgarisë.

Lidhur me incidentin MPJ bullgare dërgoi notë proteste përmes ambasadores së Maqedonisë së Veriut, Agnesa Rusi Popovska, ndërsa dje u mbajtën protesta para ndërtesës së Komisionit Evropian (KE) në Sofje për të mbrojtur të drejtat e bullgarëve në vend. Demonstruesit, të mbështetur nga partitë nacionaliste Prerodba dhe VMRO, kërkuan që BE të ndalojë menjëherë negociatat me Shkupin. Lidhur me ngjarjen, Prokuroria Themelore Publike e Ohrit është duke zhvilluar hetime ndaj një personi, i cili ndodhet në paraburgim.

Klubet kulturore bullgare në RMV

Hapja e klubit kulturor maqedonas në Bullgari vijon pas hapjes së shoqatave apo klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, njëri në Manastir (“Vanço Mihajllov”) dhe tjetri në Ohër (“Car Borisi i Tretë”). Emrat e këtyre dy klubeve, maqedonasit i konsiderojnë kontestues, pasi sipas tyre, janë pjesë e historisë së errët të Bullgarisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të RMV-së, ka apeluar deri te të gjithë qytetarët, grupet politike dhe jopolitike, për sjellje të matur dhe dinjitoze, të bazuar në respektimin e të drejtës së të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, për të ushtruar të drejtën kushtetuese për tubim dhe shprehje të lirë të mendimit.

Më 16 prill 2022, kryeministri bullgar Kirill Petkov, bashkë me funksionarë të lartë bullgar dhe ministrin e Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani, morën pjesë në hapjen e klubit bullgar “Vanço Mihajllov”. Për opinionin maqedonas ishte emri i klubit ishte diskutabil.

Më 4 qershor 2022, këngëtari maqedonas Lambe Alabakovski ia ka vënë flakën pjesës së hyrjes së klubit.

Më 7 tetor të këtij viti, u hap klubi tjetër bullgar me emrin “Car Borisi i Tretë”. Një grup maqedonas protestuan në Ohër kundër hapjes së klubit me pankarta antifashiste, duke aluduar në veprimtarinë e Car Borisit të Tretë të Bullgarisë si aleat të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Protesta ishte në atmosferë të tensionuar, ndërkaq disa prej qytetarëve kanë gjuajtur në drejtim të objektit.

Më 12 tetor, Policia njoftoi se ka marrë paraqitje se është dëmtuar tabela e klubit kulturor “Car Borisit i Tretë” i Bullgarisë në Ohër

Në ndërkohë, ka pasur paralajmërime për për formimin edhe të një shoqate tjetër bullgare në Maqedoninë e Veriut me emrin e Car Ferdinandit, i cili ka sunduar me Bullgarinë gjatë Luftës së Parë Botërore. Veprimtaria e Car Ferdinandit konsiderohet e dëmshme për Maqedoninë e Veriut, andaj edhe kundërshtohet regjistrimi i shoqatës me emrin e tij. Por, edhe emri i klubit maqedonas kontestohet nga pala bullgare, duke e konsideruar pjesë të historisë bullgare.

Kryeministri Kovaçevski, ka thënë se institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për zgjidhjen e këtij problemi, të cilin ai e ka quajtur si “provokim të rëndë”.

“Ne kemi formuar komision që duhet të vlerësojë nëse kjo shoqatë duhet të lejohet. Institucionet duhet të përcaktojnë nëse formimi i tyre është në përputhje me legjislacionin tonë. Gjithashtu, kemi angazhuar Ministrinë e Drejtësisë për hartimin e një ligji të ri për regjistrimin e shoqatave që do të ketë për bazë ligjin gjerman. Veç kësaj, në hartimin e ligjit kam kërkuar që të përfshihen të gjitha palët, e edhe pjesëtarët e komunitetit hebre”, ka deklaruar Kovaçevski.

Sofja zyrtare në vitin 2019-të kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Me ndërmjetësimin e Francës, në RMV dhe Bullgari u votua një propozim për zgjidhjen e problemeve mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndërkaq më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutën e RMV-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button