Ministri të rezervuara për maqedonasit, mosbesim ndaj shqiptarëve

Shpallja e përbërjes së re qeveritare ka nxjerrë edhe njëherë në sipërfaqe fenomenin e rezervimit të ministrive të rëndësishme vetëm për kuadro të partisë maqedonase. Nga tre ministritë që konsiderohen më të rëndësishmet, Ministria e Brendshme, e Jashtme dhe Ministria e Financave, asnjë nuk do të udhëhiqet nga kuadër shqiptarë, ngjashëm si mandatet e kaluara. Ministri i parë dhe i vetëm shqiptarë që ka udhëhequr me ministrinë e financave që nga pavarësimi i Maqedonisë, Xhevdet Hajredini, vlerëson se VMRO DPMNE-ja do të vazhdojë të mbajë për vete këta ministri, derisa partitë shqiptare nuk kushtëzojnë përfshirjen e tyre në qeveri me marrjen e këtyre ministrive.

“Partia sikur është VMRO-ja, mendoj se ato ministri asnjëherë nuk i kishte liruar, veçanërisht financat. Nga kjo që shohim, propozimi i kësaj radhe, shqiptarët jo vetëm në ministritë kyçe, siç janë ministria e brendshme dhe të jashtme, por edhe te ministria e financave dhe ekonomia në përgjithësi janë të margjinalizuar viteve të fundit. Vihet re aty se vihet ministër i ekonomisë shqiptarë, por njëkohësisht kryeministri emëron zv/kryeministër përgjegjës për ekonomi. Ministri i financave, kumbarë i kryeministrit, mund të jetë edhe zv/kryeministër, ndërsa ministri i ekonomisë nuk mund të jetë edhe zv/kryeministër”, deklaroi Xhevdet Hajredini, ish ministër i financave.

Analisti Alajdin Demiri vlerëson se me këtë përjashtim të shqiptarëve nga dikastere të caktuara, partitë maqedonase dëshmojnë mungesën e besimit ndaj shqiptarëve. Kjo dukuri sipas tij nuk do të ndryshojë, pa ndryshuar mënyrën e votimit të qeverisë, transmeton Alsat M.

“Kjo tregon në vete një segregacion të pushtetit ose një mosbesim ndaj shqiptarëve si faktor të cilët mund të udhëheqin dikastere të tilla, për arsye se këto dikastere ngërthejnë edhe shumë sekrete të të qenit shtet. Si në polici, si në financa, si në diplomaci. Deri sa bëhet politikbërja në këtë mënyrë, pa konsensus, nuk ka mundësi që të ndryshojë diçka. Por, mendoj se duhet të ndryshojë koncepti i politikbërjes dhe formimit të qeverisë, të bëhet me konsensus, ku mund të nxirren në tavolinë negocimet për këtë ose atë ministri”, tha Alajdin Demiri, analist.

Në përbërjen e re qeveritare BDI-ja do të drejtojë ministrinë e drejtësisë, ekonomisë, arsimit, pushtetit lokal, ekologjisë dhe një ministër pa portofol. Nga Ministritë që gjithashtu konsiderohen me rëndësi të veçantë është edhe mbrojtja, nga e cila BDI-ja hoqi dorë këtë mandat, pas 3 vitesh drejtimi me këtë dikaster.

Lajme të ngjashme

Back to top button