Taravari: Do të formohet komision për negociatat për hyrje në qeveri

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari pas përfundimit të Kuvendit Qendror të partisë informoi se Kuvendi e ka autorizuar kryesinë e partisë që të zhvillojë negociata me qeverinë, njofton Portalb.

“Kuvendi Qendror e autorizoi Kryesinë Qendrore që të formojë ekip, i cili në 5-6 ditët e ardhshme, maksimumi dy javë të zhvillojë bisedimet për përfshirjen eventuale të Aleancës për Shqiptarët në qeveri apo nëse këto bisedime zgjasin më shumë, të marrë vendim për ndërprerjen evnetuale të këtyre bisedimeve”, tha Taravari.

Taravari theksoi se në kuvend ka pasur qëndrime pro dhe kundër përfshirjes së kësaj partie në qeveri.

“Kishte diskutime të frytshme, kishte nga ata që mendonin se është mirë të bëhet, se mund të ketë një qeverisje ndryshe dhe të shfaqen kapacitetet qeverisëse të ASH-së, por kishte edhe nga ata që ishin kundër dhe duan të vazhdojmë opozitarizmin. Kështu që na autorizuan si kryesi qendrore që të marrim vendimin përfundimtar. Komisioni do të zgjidhet nga kryesia qendrore në ditët e ardhshme të javës që vjen. Ai komision zyrtarisht do t’i filojë negociatat. Nuk kishim diskutime aspak për zgjedhje kadrovike, më shumë për zgjedhje programore. Fokusi jonë do të jenë antikorrupsioni dhe shteti i së drejtës”, deklaroi Arben Taravari.

17:18 – Në Kuvendin e sotëm të Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë u zgjodhën organet drejtuese të partisë dhe kryesia qendrore, ndërsa në radhë është pika për diskutim rreth mundësisë së hyrjes së partisë në qeveri.

Sipas Taravarit, në takim është biseduar për ardhmërinë europiane të vendit, por edhe për mundësinë e hyrjes së Aleancës në qeveri.

Taravari deklaroi se gjatë ditës së djeshme ka realizuar takim me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Në takim, sipas Taravarit, është biseduar për ardhmërinë europiane të vendit.

“Ne nuk i fshehim kur bëjmë takime dhe këtë e bëjmë në mënyrë transparente. Bashkëbiseduam për situatën aktuale politike në RMV, për ardhmërinë europiane dhe mundësitë eventuale për krijimin e shimciës prej 80 deputetëve”, tha Taravari.

Ai paralajmëroi takime edhe krerët e partive tjera si Afrim Gashi dhe Bilall Kasami.

“Para dy-tre ditëve kisha takim me kryetarin e Alternativës, por besoj se do të kem përsëri takim. Besoj se edhe me kryetarin e Besës të kem takim, shpresoj javën e ardhshme”, tha Taravari.

I pyetur nga gazetarët se nëse dikush nga faktorët ndërkombëtarë i ka sugjeruar për të hyrë në qeveri, kreu i ASH-së Arben Taravari ishte decid. Ai mohoti këto zëra e madje u shpreh se askush, qoftë edhe faktor ndërkombëtar, nuk mund të përzihen në punët e brendshme të partisë që ai drejton.

“Absolutisht jo. S’ka të drejtë askush, as Kosova, as Shqipëria, as faktori ndërkombëtar të përzihet në veprimet e ASH-së, por na kanë treguar gjërat të cilat i përkrahin. Për shembull se duhet me çdo kusht ta ndihmojmë procesin e votimit të ndryshimeve kushtetuese”, u shpreh Taravari.

Në Kuvendin e kësaj partie u zgjodhën organet drejtuese të partisë dhe kryesia qendrore. Deputetja Ilire Dauti, deputeti dhe ish sekretari organizativ Elmi Aziri dhe ish nënkryetarja e Qytetit të Shkupit Bujare Abazi janë treshja e nënkryetarëve të ASH-së, të votuar nga kuvendarët.

Përveç nënkryetarëve në Kuvend u zgjodhën edhe Kryetari i Kuvendit – Ziadin Sela, Sekretar i Përgjithshëm – Krenar Lloga dhe Sekretar organizativ – Isen Shabani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button