A ka kush e ndal emigrimin e të rinjve?

Fshati që duket nuk do kallauz, thotë prej kohësh populli. Ndaj egzodi i frikshëm që po shkreton gjithandej viset shqiptare me shpejtësi rrufeje, nuk ka nevojë për shpjegime dhe prova shtesë nga asnjë kallauz, veçmas jo për shakaxhinjtë që minimizojnë kastile tragjedinë që na ka përfshirë në nivel kombi, më tmerrshëm se cilindo komb tjetër. Para ca vitesh kur nisi ikja masive e të rinjëve në kërkim të një jete më të sigurt e më të dinjitetshme në vendet e zhvilluara perëndimore, shumëkushi e pa këtë si shkuarje në kurbet, por e vërteta është se ky fenomen nuk ka asnjë lidhje me kurbetin siç e kemi njohur prej shekujsh, po me shpërnguljen e pakthyeshme të njerëzve, me braktisjen e përgjithmonshme të trojeve stërgjyshore. Në dallim nga e shkuara, tani më janë rralluar mërgimtarët që planifikojnë kthimin në vendin ku u ka rënë koka. Është në rritje numri i atyre që tani edhe dasmat i bëjnë jashtë atdheut, sepse atje kanë më shumë familjarë se sa në vendlindjet e shkretuara. Për të njëjtat arsye janë shpeshtuar dhe varrosjet e shqiptarëve në vendet ku janë vendosur, kanë punuar dhe kanë jetuar për një kohë me familjet e tyre. Kjo dëshmon se shpresat për kthimin e tyre për të jetuar në vendlindje janë fare minimale, në mos utopike, pavarësisht të dhënës se janë të shumtë edhe emigrantët që vazhdojnë të meremetojnë shtëpitë e prindërve, ndërtojnë shtëpi të reja dhe blejnë banesa në vendlindje. Shtëpitë në fjalë i bën malli i atyre që ikën dhe ikin në moshë të rritur prej trojeve të të parëve. Ato janë shtëpi ku qëndrojnë vetëm disa ditë gjatë vitit, kryesisht gjatë pushimeve verore, sa për t’u çmallur me prindërit dhe miqtë e mbetur këtu dhe sa për t’u mbushur vrer për mizerjen e jetës dhe sallamadinë e saj në cepet e përçudnuara të botës, ku asgjë nuk funksionon si e do puna.

Janë të shumtë ata që mendojnë se egzodin tragjik të rinisë e nxitën dëshirat për një jetë më të mirë, por kjo nuk është arsyeja e vetme. Atë e kushtëzuan një mori faktorësh, si: papunësia e madhe, mungesa e sigurisë në punë, pagat mizerje, keqtrajtimet e punëtorëve nga punëdhënësit, padrejtësitë e padurueshme dhe fyese, rrethanat politike dhe ekonomike, institucionet burokratike dhe jofunksionale, korrupsioni, hajdutëria e padënueshme nga organet inekzistente të rendit, mungesa e shtetit të së drejtës dhe e qëndrueshmërisë së tij, thellimi i hullisë ndërmjet klasave shoqërore (hajdutëve të bërë brenda natës milionerë dhe popullit të shndërruar në rajë të varfër) dhe, mbi të gjitha, humbja e shpresës së njerëzve, që, siç dihet, vdes e fundit. Këtë e kuptojmë nga bashkëvendësit tanë të shpërngulur e shpërndarë gjithandej botës, të cilët janë të vetëdijshëm dhe e përjetojnë me dhembjë humbjen e pashmangshme të kush-jamit në tokat e huaja. Ata e vuajnë ditëpërditshëm asimilimin e fëmijëve, nipave dhe mbesave, një pjesë e të cilëve, pa fajin e tyre, flasin edhe me prindërit në gjuhën e tjetrit.

Sigurisht se shkollimi i rregullt në cilindo vend evropian ka dhe anët e veta pozitive, veçmas në kohën e globalizimit që nuk njeh kthim prapa. Në dy-tri dekadat e fundit familjet e emigrantëve të vendosur përkohësisht ose përgjithmonë në vendet tjera, i kanë dhënë botës personalitete të shquara në fushën e kulturës, artit, arsimit, shkencës, sportit, biznesit, mjekësisë, politikës… Të tillët janë aktualisht ambasadorët më të mirë të racës sonë në botën e qytetëruar, redaktorët e imazhit tonë të shtrembëruar nga armiqtë tanë, mbajtësit gjallë të jetës në shkretishtet me ekonomi të ngordhur, mbështetësit e të gjitha lëvizjeve pozitive të popullatës rezidente në trojet etnike. Por e keqja është se egzodi i sotëm është me përmasa shkretuese në viset shqiptare, ndaj duhet urgjentisht të ndërmerret diçka për të shmangur shuarjen e etnisë dhe humbjen e përgjithmonshme të mëmëdheut. Kjo mund të nisë me nxjerrjen para drejtësisë të banditëve të majmë me hisen e të tjerëve, me sekuestrimin e patundshmërive dhe milionave të vjedhur nga hajdutët e mafias politike, kushdoqofshin ata. Kjo, ndoshta do të kthente shpresën për një të ardhme ndryshe tek një pjesë e njerëzve që janë në fazën e hamendjes: të ikim edhe ne pa kthyer kokën prapa, apo t’i japim edhe një rast të jetuarit në tokën ku na ka rënë koka?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button