Komuna e Tetovës përsëri vendosi në lidhje me parkingun në shkolla

Hapësirat e parkingut të krijuara në oborret e shkollave fillore në Tetovë, me vazhdimin e vitit shkollor do t’i kthehen shkollave, transmeton Portalb.mk.

“Me rastin e fillimit të gjysëmvjetorit të dytë 2022/2023, Komuna e Tetovës njofton qytetarët shfrytëzues të oborreve të shkollave fillore “Liria”, “Goce Dellçev” dhe “Istikball” se nga nesër (e shtunë), 21.01.2023 do të mbyllen oborret që janë shfrytëzuar për parking”, sqaroi Komuna e Tetovës.

Komuna sqaroi që këto hapësira tashmë, si më herët, do të jenë për shfrytëzim vetëm për shkollat.

Ndryshe, më 30 dhjetor të vitit 2022, Komuna e Tetovës informoi  se oborret e shkollave “Liria”, “Goce Dellçev”, gjimnazi i Tetovës, Medicina e Vjetër dhe “Istikball” do të jenë të hapura si parkingje për qytetarët gjatë pushimeve dimërore deri sa shkollat nuk do punojnë.

Në janar të vitit 2022, Komuna shpalosi planin për krijimin e parkingjeve të reja për këtë vit. Ky plan parashihte 3.090 vende të reja parkimi edhe atë (zonale 410, të mbyllura 790 dhe garazhet në kate 1,890). Ky plan ishte i ndarë në pesë faza. Në tre- mujorin e parë, plani nuk u realizua siç u premtua. As në tre-mujorin e dytë plani nuk u realizua sipas premtimit. Edhe në tre-mujorin e tretë parkingjet nuk u realizuan sipas planifikimit. Në këtë periudhë është bërë zgjerimi i parkingut zonal, që nuk nënkupton se në çdo zonë ka vende të reja parkimi (diku vetëm parkingjet ekzistuese janë shndërruar në zonale dhe me pagesë), si dhe po punohet për disa parkingje të mbyllura. Parkingje dhe garazhe në kate nuk ka ende. Aktualisht, sipas SPB-së në Tetovë ka të regjistruara rreth 44 mijë vetura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button