Turkoviq nga vizita në RMV: Bashkëpunim dhe mbështetje reciproke për një rajon të qëndrueshëm dhe me prosperitet

Zëvendëskryesuesja e Këshillit të Ministrave dhe ministre e Punëve të Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, e cila po qëndron për vizitë në vend, sot ka takuar presidentin, kryetarin e Kuvendit si dhe Ministrin e Jashtëm, ku me këtë të fundit sot gjatë ditës patën edhe një konferencë të përbashkët për shtyp, transmeton Portalb.mk.

Turkoviq theksoi se periudha e kryesimit të OSBE-së është një kohë në të cilën rajoni duhet të tregojë se vendos jo vetëm për këtë pjesë të botës, por edhe më gjerë.

“Është një hap i rëndësishëm dhe një mundësi, dhe besoj se presidenca do të jetë jashtëzakonisht e mirë dhe e rëndësishme, jo vetëm për Republikën e Maqedonisë, por për të gjithë rajonin dhe më gjerë, për mbarë botën. Të dy vendet janë viktima të lëvizjeve rajonale që ndikojnë në përparimin tonë të shpejtë drejt BE-së. Në të njëjtën mënyrë, dy shtetet tona i lidh fakti se ne nuk ishim aspak fajtorë, të lidhur për shpërbërjen e shtetit të dikurshëm dhe me këtë vuajtëm pasoja të rënda. Prandaj BeH dëshiron bashkëpunim rajonal në kuadër të procesit të Berlinit në mënyrë që lidhja jonë të përshpejtojë afrimin e të gjithë rajonit me BE-në”, tha ajo.

Turkoviq theksoi gjithashtu se për BeH-në Maqedonia është një partner i rëndësishëm ndërkombëtar.

“Një anëtare e NATO-s nga e cila presim dhe kemi mbështetje për përparimin tonë drejt anëtarësimit të plotë. Nuk ka Ballkan stabil derisa të gjitha vendet e rajonit të jenë në rrugën e pakthyeshme drejt BE-së”, tha zëvendëskryesuesja e Këshillit të Ministrave dhe Ministre e Punëve të Jashtme e Bosnjë-Hercegovinës.

Bisera Turkoviq dhe Bujar Osmani
Bisera Turkoviq dhe Bujar Osmani

Nga ana tjetër, Osmani duke theksuar se në maj të këtij viti dy vendet shënojnë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike potencoi se kjo do të reflektohet në në bashkëpunimin institucional dhe të përgjithshëm ndërshtetëror të Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinë

Sipas Osmanit, viti i kaluar ishte veçanërisht i rëndësishëm për të dyja vendet në aspektin e perspektivës evropiane. Osmani tha se Republika e Maqedonisë është e gatshme të ndajë përvojën me statusin kandidat për rrjedhën e mëtutjeshme të zbatimit të reformave.

“RMV e mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik të BeH-së, si anëtare e NATO-s. Në këtë pjesë mund të ndihmojmë në kuadrin e shkëmbimit të përvojës, në kuadër të aktiviteteve reformuese dhe inkurajojmë BeH që të vazhdojë në atë rrugë, sepse nuk ka alternativë për një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë sesa të gjitha vendet e rajonit të shkojmë drejt BE-së dhe drejt NATO-s”, tha Osmani.

Ai shtoi se do të kontribuojë edhe kryesimi i Kartës së Adriatikut, ku është anëtare BeH, ndërsa me konceptin e ri strategjik të kartës për 20 vitet e ardhshme, siç tha ai, theks i veçantë i kushtohet anëtarësimit të BeH dhe Kosovës në NATO.

“Kryesimi i OSBE-së është gjithashtu një mundësi tjetër. Biseduam, sepse në BeH OSBE ka një mision serioz në terren, jo vetëm në Sarajevë, por edhe në qytete të tjera, me një përvojë të madhe dhe të pasur në të gjitha ciklet e konfliktit dhe në atë pjesë do të jetë aktive edhe OSBE-ja, pasi siç e dini, fokusi ynë janë pikërisht aktivitetet në terren dhe roli që ka OSBE-ja në terren dhe ndikimi që ka në jetën e njerëzve”, tha ai

Turkoviq u prit edhe nga presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.

Në takim, bashkëbiseduesit konfirmuan marrëdhëniet e mira bilaterale mes dy vendeve dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha sferat me interes të përbashkët, veçanërisht në fushën e ekonomisë.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për integrimin evropian të dy vendeve, për rolin e Bashkimit Evropian në rajon në aspektin gjeopolitik aktual, si dhe u theksua rëndësia e zbatimit të proceseve kyçe reformuese.

“Pendarovski rikonfirmoi mbështetjen e vendit tonë për aspiratat evropiane të BeH-së, si dhe shprehu gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave në lidhje me procesin integrues në NATO, duke shtuar se perspektivat evropiane të të dyja vendeve janë në drejtim të ndërtimit të një rajoni të fortë dhe stabil”, njoftuan nga Presidenca.

Bisera Turkoviq dhe Stevo Pendarovski

Në takimin e sotëm me ministren e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, potencoi relacionet e deritanishme të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, të cilat lëvizin në vijën përpjetë vazhdimisht dhe shprehu shpresë së ky intensitet i komunikimit politik  dhe tjetër do të vazhdojë të zhvillohet edhe më tutje

.“Në këtë drejtim, drejtoi apel te grupet parlamentare të bashkëpunimit të dy dhomave ligjvënëse të bashkëpunojnë në mënyrë të ndërsjellë në tema me interes të përbashkët. Kryetari Xhaferi e informoi mysafiren për agjendën ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 ku ndër të tjerat janë aktivitetet në lidhje me kryesimin veçanërisht të rëndësishëm me OSBE-në, kryesimi me procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe gjithsesi, negociatat me Bashkimin Evropian”, informuan nga Kuvendi.

Nga atje shtuan se Turkoviq, u pajtua me Xhaferin rreth nevojës për vendosjen e linjës ajrore ndërmjet dy vendeve dhe potencoi se në periudhën e ardhshme duhet të punohet në mënyrë intensive në këtë çështje.

Bisera Turkoviq dhe Talat Xhaferi

Përndryshe, temë diskutimi ka qenë edhe nevoja e linjës ajrore ndërmjet dy vendeve, ku u theksua se të dyja palët duhet të investojnë në atë drejtim dhe rezultati ekonomik do të jetë shumë më i mirë për të dyja vendet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button