RMV, shfuqizimi i apanazhit për funksionarët që japin dorëheqje apo shkarkohen në fazë përfundimtare, pritet të futet në rend dite

13 janar Gjykata Kushtetuese nisi procedurë për nenin 22 të Ligjit për paga dhe kompensime të personave të zgjedhur dhe të emëruar i cili u mundëson apanazh funksionarëve dhe deputetëve kur vetë japin dorëheqje ose kur shkarkohen. Sipas kësaj Gjykate, kjo e drejtpërdrejtë është kontestuese prandaj edhe pritet që ta shfuqizojë. Megjithatë, procedura është akoma në fazën e përgatitjes së përmbledhjes përfundimtare dhe pritet të futet së shpejti në rend dite të seancave të ardhshme, transmeton Portalb.mk.

“Lënda për të cilën jeni të interesuar është e regjistruar me numër urdhri 8/2022 dhe është vendosur në seancën e 39-të të vitit 2022, në të cilën është vendosur që të iniciohet procedura për nenin 22 të Ligjit për pagat dhe kompensimet tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar në Republikën e Maqedonisë, më konkretisht, bëhet fjalë për kompensimet (të ashtuquajturat apanazhe) për zyrtarët të cilët janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre. Në seancën konkrete është vendosur që Gjykata të iniciojë procedurë, që do të thotë se Gjykata dyshon nëse ai nen është në përputhje me Kushtetutën. Lënda tashmë është në fazën e përgatitjes së përmbledhjes përfundimtare me propozim specifik për nenin kontestues dhe kur të përgatitet do të futet në rendin e ditës të një prej seancave të ardhshme”, u përgjigjën nga Gjykata Kushtetuese të pyetur nga Portalb.mk, se deri ku ndodhet kjo procedurë.

Në nenin për të cilin është nisur procedura është paraparë që deputet, funksionar ose punëtor udhëheqës i cili ka dhënë dorëheqje ose është shkarkuar nga detyra para se të kalojë koha për të cilën është zgjedhur ose emëruar, i ka të drejtat e marrjes së rrogës pasi të ndërpritet funksioni. Personat derisa e realizojnë të drejtën e pagës, kanë të drejtë edhe për kompensim për shfrytëzim të pushimit vjetor, sipas paragrafit 2 të nenit 22 të Ligjit.

Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese

Në këtë Ligj parashikohet që deputeti apo funksionari dhe nëpunësi udhëheqës të cilin e emëron Kuvendi, Presidenti ose Qeveria, mund të marrë rrogë pas përfundimit të funksionit në kohëzgjatje prej një viti, edhe atë:

  • Tre muaj, nëse funksionin e ka ushtruar deri më gjashtë muaj
  • Gjashtë muaj, nëse funksionin e ka ushtruar gjashtë muaj dhe një ditë deri më 12 muaj,
  • Nëntë muaj, nëse funksionin e ka ushtruar 12 muaj dhe një ditë deri më 24 muaj dhe
  • 12 muaj, nëse funksionin e ka ushtruar 24 muaj dhe më shumë

Sa i përket dispozitave të tjera Gjykata vendosi që të mos nis procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve: 19, 20, 21, 23, 24 dhe 25 të Ligjit të shënuar në pikën 1 nga ky vendim dhe vendosi që ta hedhë poshtë nismën në lidhje me kërkesën për vlerësim të pëlqimit të ndërsjellë të dispozitave të shënuara në pikat 1 dhe 2 nga ky vendim me nenet: 105, 106 dhe 113 nga Ligji për marrëdhënie pune.

Një rast të tillë kishte para katër vjetëve kur apanazh kërkuan anëtarët e KSHZ-së të cilët në vitin 2017 vetë dhanë dorëheqje nën presionin e publikut dhe ambasadorit amerikan Xhes Bejli i cili publikisht i kritikoi se kanë votuar bonuse për zgjedhjet lokale në vlerë prej katër dhe dy pagave shtesë.

Në shkurt të vitit të kaluar, u bë përpjekje nga partia “E majta” që pas përfundimit të mandatit, deputetët, ministrat dhe funksionarët e tjerë shtetëror të mos vazhdojnë të marrin rrogë nga shteti por të trajtohen si qytetarët e tjerë. Megjithatë deputetët nuk ranë dakord për shfuqizimin e të drejtës së apanazhit, ndërsa propozimi mori mbështetjen e vetëm 16 deputetëve, 13 votuan kundër kurse të tjerët nuk votuan aspak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button