Të drejtë me vetveten

Shoqëria moderne kërkon nga ne që të vrapojmë pas perfeksionizmit. Të dukemi perfektë, të kemi një jetë perfekte, të kemi raporte perfekte dhe ç’është e vërteta, të tjerët të bëhen xhelozë në atë se sa perfektë jemi ne. Kjo nuk është aspak e shëndetshme për njeriun dhe shkon në kundërshtim me esencën e qenies sonë. Për më tepër, këto kërkesa joreale të shoqërisë moderne na bëjnë të jemi të padrejtë me vetveten dhe të tjerët, mbi të gjitha na bëjnë të jemi të preokupuar me egon tonë.

Në esencë, këto kërkesa na bëjnë të jemi të palumtur dhe të pakënaqur, pa marrë parasysh begatitë materiale që na rrethojnë. Shoqëria moderne në fakt kërkon që ne të dukemi perfektë, pa çka se nuk ndjehemi të tillë. Shoqëria moderne kërkon pra që ne të jemi fallco dhe të padrejtë.

Rrjetet sociale janë shndërruar në një garë të pakuptimtë ku secili mundohet ta tregojë anën më të mirë për vetveten, për t’i bërë të tjerët xhelozë, për tu lëvduar për sukseset e veta dhe për të kërkuar gjithnjë e më shumë përkrahje dhe admirim. Njerëzit paskan qenë të varur nga admirimi që e kërkojnë nga të tjerët, këtë e kanë si drogë dozën e së cilës duhet ta marrin çdo ditë për të ndjerë se janë gjallë.

E në fakt është një proces i veçantë psikologjik të shikosh se si njerëzit që ti e din mirë që nuk e honepsin fare njëri tjetrin, dalin me fotografi plot ndjenja dhe emocione, njerëzit që ti e din mirë se kanë probleme të ndryshme, sociale e finansiare, dalin me postime për atë se sa të lumtur janë duke harxhuar para, dhe njerëzit që nuk kanë lexuar dy reshta në jetën e tyre dalin me shkrime ku shpërndajnë mençuri eternale.

Kjo përpjekje e vazhdueshme për t’u bërë diçka që nuk jemi është vërtetë e lodhshme dhe ka pasoja të rënda dhe traumatike. Njerëzit frikohen të jenë vetvetja, ta shprehin mendimin e vetë të sinqerë për diçka, dhe të jenë me ata me të cilët duan të jenë e jo me ata që aspak nuk i pëlqejnë. Është e lodhshme të jetosh tërë kohën për të tjerët dhe asnjëherë për vetveten, është e lodhshme të mos jesh vetvetja dhe ajo që dëshiron të jesh, duke u munduar gjithmonë t’i plotësosh kërkesat e një shoqërie që as vet nuk e di saktë çfarë dëshiron.

Të jesh vetvetja nuk duhet të konsiderohet luks, por një përditshmëri për njeriun. Me veten tonë jetojmë çdo ditë, prandaj është me rëndësi që të jemi të drejtë ndaj vetvetes. Momenti kur pushojmë të jetojmë për t’u dukur mirë para të tjerëve dhe kur fillojmë të jemi të drejtë me vetveten është momenti kur e gjejmë qetësinë dhe kuptimin e vërtetë të jetës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button