Përgjegjësi e ministrit Spasovski për kontrollin teknik të autobusit të “Besa Trans”, vlerësoi Komisioni

Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit (KSHPK) vendosi të parashtrojë nismë në Qeveri për konstatimin e përgjegjësisë të ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski lidhur me zgjidhjen jo në kohë të ndalesës për kryerje të kontrollit teknik të personit juridik “Via Komerc”, stacion në të cilin pas konstatimit të parregullsive, kontrolli teknik ishte kryer edhe për transportuesin “Besa trans” në autobusin e të cilit në fatkeqësinë në Bullgari jetën e humbën 45 qytetarë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa shtatë u lënduan, raporton MIA.

Komisioni konstatoi se ministri nuk ka vepruar drejtë, sepse pas raportit të marrë nga inspektorati i cili ka kryer kontroll dhe ka konstatuar parregullsi në punën e stacionit, ai nuk ka dhënë urdhër në afatin e paraparë nga stacioni t’i mënjanojnë parregullsitë, por të njëjtin e ka dhënë pas tre muajve nga raporti i marrë, përkatësisht tre ditë pas fatkeqësisë në Bullgari.

KSHPK vendosi se për shkak të faktit që Prokuroria publike tashmë ka lëndë të hapur dhe po zhvillohet proces gjyqësor për atë rast, të gjitha dëshmitë të cilat i kanë do t’i parashtrojnë si plotësim të dëshmive në prokurori, ndërsa në Qeveri do të parashtrojnë nismë për konstatimin e përgjegjësisë të ministrit Oliver Spasovski.

Nga atje cekën se ende nuk është konstatuar se fatkeqësia e autobusit ka ndodhur për shkak të parregullsisë teknike të automjetit.

Përfaqësuesit e KSHPK-së në mbledhjen e sotme diskutuan edhe për xhirimin nga Zgjedhjet lokale ku shihet se si ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Osmani dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini përdorin automjete zyrtare për qëllime partiake.

Lidhur me pyetjen e gazetarëve çka më tutje lidhur me këtë rast, ata u përgjigjën se detyrë e tyre është materialin ta dërgojnë në kabinetin e zëvendëskryeministres për sundim të mirë dhe ata të sjellin vendim.

Mes lëndëve që u gjendën në rendin e sotëm të ditës ishte edhe propozimi për parashtresë në Këshillin e prokurorëve publik lidhur me punën e prokurores Natasha Pop Trajkova lidhur me veprimin rreth lëndës Holidej In, e cila sipas KSHPK-së, po zhvillohet tashmë një kohë të gjatë.

Ndryshe, për shkak të simptomave të kovid-19 tek udhëheqësi i “Besa Trans”, Bekim Haxhiu, i akuzuar në rastin me të njëjtin emër, gjykimi i sotëm në Gjykatën Themelore Penale Shkup u shty për më 2 shkurt.

Pronari dhe menaxheri i kompanisë së “Besa Trans”, Bekim Haxhiu dhe përfaqësuesi i personit juridik “Besa Trans”, Shaban Hoxha, në seancën e kaluar deklaruan se nuk ndihen fajtorë për falsifikimin e certifikatës së licencës për kryerjen e transportit rrugor ndërkombëtar për autobusin me të cilin në nëntor të vitit të kaluar humbën jetën 45 persona në një aksident në Bullgari.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin e kaluar nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik Vladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek, mes të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa shtatë mbijetuan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button