Rama mbi sulmin kibernetik: Kemi rezistuar mirë krahasuar me synimin e agresorëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në diskutimet në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ndërkohë në fjalën e tij në një nga panelet e forumit është fokusuar në sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë dhe reformën e shërbimeve online për qytetarët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, për të cilin u ndërprenë edhe marrëdhëniet diplomatike me Iranin, Rama tha se praktikisht shmangën humbjen e të dhënave, që sipas tij ishte synimi i sulmit.

“Vitin e kaluar ne u sulmuam nga Irani në mënyrë masive (sulmi kibernetik), shumë rëndë. Sigurisht bëmë me shumë vëmendje në çdo hap një hetim tërësisht të ndihmuar nga ekipi i Microsoft, FBI dhe ekspertë të tjerë përpara se të dilnim në këtë akuzë të bazuar në fakte. Dhe ende jemi të sulmuar, praktikisht ditë pas dite. Megjithatë, edhe pse nuk kemi një siguri kibernetike të fjalës së fundit, ne arritëm që të shmangim zhdukjen tërësore të sistemeve që kishim. Ne kemi rezistuar mirë krahasuar me synimin e agresorëve”, tha Rama.

Rama theksoi se nëse krimi kibernetik do të ishte një shtet, “do të ishte ekonomia e tretë më e madhe e botës”.

Duke folur për shërbimet online për qytetarët, Rama theksoi se, “Ia dolëm të bëheshim për 5-7 vitet e fundit një vend me 95 për qind të shërbimeve të veta publike tërësisht online. Nuk ka nevojë që të kontaktosh zyrat. Kjo ka ndihmuar shumë sigurisht dhe po e përmirësojmë çdo ditë, por në të njëjtën kohë na ka ekspozuar shumë”.

Në korrik dhe shtator të vitit 2022, autoritetet shqiptare konfirmuan se ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik. Sipas autoriteteve, “agresioni kibernetik ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.

Në shtator të vitit të kaluar, Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin si “kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button