S’kam kohë t’i komentoj deklaratat e Bejtës, tha Xhaferi për akuzat se i ka ndihmuar Taravarit në zgjedhje

Një grup i funksionarëve të udhëhequr nga Talat Xhaferi, kanë organizuar që të votojnë për Arben Taravarin për të më eliminuar mua. Kështu deklaroi mbrëmë, në “Programi 200” në Alsat, Nevzat Bejta, njëri prej anëtarëve të pakënaqur të BDI-së, apo të të ashtuquajturit “Grupi i Zjarrit”, i cili në vitin 2021 i humbi zgjedhjet për kryetar të Komunës së Gostivarit. Talat Xhaferi deklaroi se ka punë më të mëdha se t’i komentojë këto deklarata, njofton Portalb.mk.

“Në rrethin e parë kam fituar 1.000 vota më tepër dhe pastaj për të më eliminuar mua i ndihmuan Taravarit. Një grup i funksionarëve të udhëhequr nga Talati kanë organizuar që të votojnë dhe ai fitoi me 400 vota për të më eliminuar dhe të thonë se humbi Nevzati. Unë nuk kam humbur nga qytetarët, por nga njerëzit të cilët nuk ia kanë dashur të mirën Bashkimit Demokratik për Integrim dhe tash del në sipërfaqe në 2023-shin”, tha Nevzat Bejta, duke shpjeguar se Talat Xhaferi ka bashkëpunuar me Taravarin edhe në zgjedhjet e vitit 2017-të.

Ai gjithashtu akuzoi Talat Xhaferin, por edhe Artan Grubin se e mbrojnë Taravarin nga siç tha ai, krimet e kryera.

“Fjalët më nënçmuese Ali Ahmetit ia ka bërë Taravari, e tash bëjnë koalicion. Pse? Sepse Taravari me bashkëpartiakët e tij janë të frikësuar shumë se kanë kriminalitet dhe korrupsion. Nuk ngrihen procedura kundër Taravarit sepse e mbrojnë Talat Xhaferi dhe Artan Grubi”, tha Bejta.

Portalb.mk, kontaktoi Talat Xhaferin për të komentuar deklaratat e Bejtës, megjithatë ai nuk dëshiroi të

“Skam kohë, merrem me popullin s’merrem me emisione. Kam punë të mëdha s’kam kohë të komentoj”, tha shkurt Xhaferi për Portalb.mk.

Duke bërë analogji me deklaratën e tij të vitit 2015-të kur asokohe ishte kryetar i Gostivarit dhe e quajti veten “kryetar 24 karat”, për Artan Grubin tha se ai nuk matet me karat pasi nuk ka tipare të tilla, por se ai është metal si hekuri dhe teneqeja.

“Artan Grubi nuk matet sikur metalet që maten me karat, por është një metal që nuk ka karat. Po të kishte karat do të ishte mirë, atëherë nuk do të bënte përçarje në BDI. E që nuk kanë karate janë hekuri, teneqeja, këto… Metalet që kanë karate janë metale të mira dhe të vlefshme që i duan njerëzit dhe në bazë të cilësisë maten metalet, por edhe njerëzit në bazë të punëve maten me karat”, tha Bejta.

Grubi nuk ka preferuar t’i komentojë deklaratat e Bejtës. Portalb.mk, tentoi të kontaktojë edhe ke Arben Taravarin, por ai nuk iu përgjigj thirrjes tonë telefonike.

Deklarata e Bejtës vjen pasi që, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një takim me bashkëpartiakët në Gostivar më 15 janar, u dërgoi porosi funksionarëve të “Grupit të Zjarrit” se nuk do ta largojë nga pozita zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, pasi siç deklaroi, për atë ka vendosur shumica në parti. Ai shtoi se funksionarët e pakënaqur nuk kanë hequr keq pasi që tërë jetën kanë pasur funksione.

Kujtojmë, më 24 shtator në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, janë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit. Ata theksojnë që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.

Nëpërmjet një konference për shtyp të mbajtur më 27 dhjetor, funksionarët e pakënaqur të BDI-së deklaruan se nga 19 premtime zgjedhore, vetëm dy janë realizuar tërësisht – “zëvendëskryeministri shqiptar dhe negociuesi shqiptar për BE dhe NATO”, ndërsa pjesërisht janë përmbushur pesë. Kjo, sipas Izet Mexhitit, do të thotë se BDI tërësisht i ka realizuar vetëm 1,2 përqind të premtimeve, 2,9 përqind janë realizuar pjesërisht, 95,9 përqind nuk janë realizuar. Lidhur me projektet infrastrukturore, siç potencoi, për dy vjet prej 520 milionë eurosh vetëm 11 milionë euro janë investuar për “pesë projekte shqiptare, në mesin e të cilave aksi Kërçovë – Dibër”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button