Një postim në rrjetet sociale manipulon me raportimet e rreme për bomba në shkolla

Një postim i shpërndarë në Facebook është manipulues dhe i mungon konteksti. Është e vërtetë se MPB-ja e ka arrestuar një grua 55-vjeçare e dyshuar për raporte të rreme për bomba, por ajo nuk ka lidhje me raportet që janë dërguar më parë nga e-mail adresat nga jashtë, për të cilat ministri Spasovski ka treguar se janë kërcënimet hibride. Gruaja, përndryshe një person me probleme shëndetësore, një ditë para se të arrestohej, nëpërmjet telefonit raportoi se në disa shkolla ishin vendosur bomba, pas së cilës ajo u arrestua menjëherë, shkruan Vërtetmatësi.

Një postim në Facebook manipulon një temë shumë të ndjeshme, përkatësisht raportimet për bomba të rreme që janë raportuar së fundmi në shkolla, por edhe në disa institucione shtetërore dhe qendra tregtare dhe që kanë shqetësuar shumë qytetarët.

A mund ta imagjinoni se si për TRE muaj ekspertët kibernetikë të Oliver Spasovskit na bindin se raportimet për bomba të dërguara me e-mail në shkollat ​​e Shkupit vinin nga jashtë, sa e vështirë ishte gjetja dhe zbulimi i tyre, si ishin të angazhuar maksimalisht!?? ?
Epo sot arrestuan një zonjë 55 vjeçare nga Shkupi!!!
Apo e panë që me këtë lloj intimidimi dhe futje frike te populli nuk mund të defokusohen nga problemet dhe krimet reale që ata, LSDM-BDI prodhonin çdo ditë, pra të themi se autori është arrestuar!!!, 
shkruan në postim.

Në postim thuhet se një grua 55-vjeçare nga Shkupi qëndronte pas raportimeve për bomba false nëpër shkolla dhe se Ministria e Punëve të Brendshme mashtronte opinionin se emailet e kërcënimit ishin dërguar nga jashtë. Por opinioni është mashtruar pikërisht nga pretendimet e bëra në postim, të cilat përcillen në një mënyrë për të shtrembëruar situatën reale dhe me këtë të manipulojnë qytetarët.

Për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë?

Është e vërtetë se MPB-ja më 12 janar kishte njoftuar se kishte arrestuar një 55-vjeçare nga Shkupi për raportime të rreme për bombë. Mirëpo, në njoftimin e MPB-së, askund nuk përmendet se gruaja ka dërguar alarme me e-mail dhe se bëhet fjalë për rastet e raportuara më herët të njoftimeve për bomba nëpër shkolla. Ajo që njoftoi MPB-ja është se një ditë para se të arrestohej, më 11 janar 2023, gruaja nga celulari ka telefonuar Autoritetin e Inteligjencës Financiare në Shkup dhe ka raportuar se në shkollat ​​e Shkupit janë vendosur mjete shpërthyese.

“Menjëherë pas marrjes së raportimit janë ndërmarrë masat dhe aktivitetet përkatëse dhe është konstatuar se raportimi ka qenë i rremë, dhe A.K. (një person me probleme shëndetësore) është gjetur dhe arrestuar”, njofton MPB.

Pra, gruaja nuk kishte asnjë lidhje me kërcënimet e raportuara më parë për bombë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në disa raste deri më tani ka deklaruar se bëhet fjalë për alarme të dërguara nga e-mail adresat nga jashtë dhe se bëhet fjalë për kërcënime hibride që po marrin përmasa të mëdha në nivel global.

“Mesazhet janë dërguar nga jashtë vendit. Kemi indikacione serioze se si po zhvillohet i gjithë procesi dhe në atë pjesë realisht po punohet me përkushtim maksimal, me ndihmën e partnerëve tanë, që të ndalohen këto akte monstruoze që shkaktojnë ankth te qytetarët”,sqaroi ministri Spasovski.

Ai theksoi se të gjitha kapacitetet e shërbimeve të sigurisë, që nga fillimi i mandatit të kësaj kryesie të MPB-së, i janë përkushtuar mbrojtjes serioze të të gjithë qytetarëve të shtetit në të gjitha segmentet, përfshirë edhe atë kibernetike, e cila është jashtëzakonisht e spikatur në kushtet e sotme.

Në fillim të janarit, Spasovski deklaroi se për të gjitha rastet e raportimeve për bomba janë duke u zhvilluar hetime dhe se për disa prej tyre janë siguruar dhe zbatuar prova.

“Kemi dëshmi për raportet në Shkup, në Kavdarci, për raportet në Dellçevë. Jemi duke punuar dhe jemi ende në rrugë të mbarë që një tjetër ngjarje të zbulohet në Shkup. Të gjitha shërbimet që janë në këtë pjesë të luftës kundër terrorizmit, krimit kibernetik, mjekësisë ligjore dixhitale, së bashku me shërbimet e sigurisë me shërbimet tona partnere i dedikohen ekskluzivisht kësaj pjese për të punuar një shtab të posaçëm krizash që është në këtë segment, i formuar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ju e dini se në Qeveri është krijuar një shtab special operativ dhe aty po merren masa të caktuara. Mirëpo atje me siguri do të japin informata nga Qeveria për situatat”,tha Spasovski gjatë vizitës në ambientet e Njësisë Mobile për siguri të Komunikacionit Rrugor në Petrovec.

Nga këtu mund të konkludojmë se është e vërtetë se MPB-ja ka arrestuar një grua 55-vjeçare të dyshuar për kërcënime të rreme për bombë, por ajo nuk ka asnjë lidhje me kërcënimet që më parë janë dërguar nga e-mail adresat nga jashtë, për të cilat ministri Spasovski tregoi se ishin kërcënime hibride. Gruaja, përndryshe një person me probleme shëndetësore, një ditë më parë ka raportuar me telefon se në disa shkolla ishin vendosur bomba dhe më pas u arrestua menjëherë. Prandaj, postimin që po shqyrtojmë e vlerësojmë si manipulues, pra i mungon konteksti.

Disklejmer i ri, baner, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button