Mediat në shënjestër të kritikave edhe nga Qeveria aktuale

Zyrtarët e shtetit në asnjë mënyrë nuk kanë të drejtë të marrin pozicionin e vlerësimit të punës së mediave, aq më pak t’i shpallin armike media të caktuara në vend, theksojnë punëtorë të mediave në Maqedoninë e Veriut, raporton REL. Këto reagime pasojnë deklaratat e kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, i cili më 16 janar, gjatë një konference për shtyp, tha se disa media në vend përfaqësojnë interesat e kompanive energjetike apo qendrave partiake për komunikim me opinionin.

“Në vend, kemi media, politika editoriale [redaktuese] e së cilës më shumë i ngjan një kompanie që bën tregti me energjensë; gjithashtu kemi dhe media, politika editorialee së cilës më shumë u ngjan politikave editoriale të qendrave për komunikim me opinionin të partive politike”, u është përgjigjur kryeministri Kovaçevski pyetjeve të gazetarëve rreth qëndrimit të tij lidhur me deklaratën e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, si partner i koalicionit qeverisës, i cili u shpreh kundër mediave të caktuara në vend.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, gjatë një takimi me qytetarët në Gostivar mbrëmjen e 15 janarit, duke folur për përçarjet brenda partisë, përkatësisht antagonizmat që janë shpërfaqur në partinë e tij me grupin e njohur si “grupi i zjarrit”, televizionet maqedonase Alfa dhe Telma i ka cilësuar si armiq të shqiptarëve.

“Kujt i bëjmë shërbim me këto lëvizje që po bëhen? Sigurisht që armiqve të shqiptarëve, po duartrokasin. Alfa, Telma, Melma, çfarë janë këto?! Çka fituan shqiptarët që përçaheshin në të kaluarën? Çfarë? Asgjë nuk fituan”, është shprehur Ahmeti.

Megjithatë, gjatë së martës Ahmeti është arsyetuar se deklarata që ka drejtuar, nuk ka të bëjë me mediat e caktuara, por me qëndrimet që jepen në këto media.

“Mendoj se është sqaruar ky problem dhe nuk ka të bëjë me televizionin, por ka të bëjë me paraqitjet dhe frymën… dhe kjo është shqetësuese për mua. Nuk shpreh shqetësimin tim personal, por shpreh shqetësimin e pjesës së madhe të njerëzve, me të cilët unë takohem dhe ne kemi detyrë që njerëzit ne t’i orientojmë drejt”, është arsyetuar Ahmeti.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, e cila kritikohej me vite për ndërhyrje në punën e Qeverisë, tani kritikon pushtetin për një gjë të tillë.

“Kovaçevski nuk duhet të shprehë mendimin e tij për politikën editoriale (redaktuese) të mediave të caktuara. Përkundrazi, ai e ka për detyrë të shprehet për skandalet e pushtetit, për krimet, si dhe për gjendjen katastrofave, në të cilën ndodhet vendi. Por, Kovaçevski dhe Ahmeti, të frikësuar nga disfata që i pret në zgjedhjet e ardhshme, po përdorin dhe mjetin e fundit për të diskredituar mediat me qëllim që ta frikësojnë dhe heshtin opinionin”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.

“Nuk guxojmë të kthehemi në kohën e Gruevskit”

Kryetari i Qendrës për Zhvillimin e Mediave, Dejan Georgievski, thotë për Radion Evropa e Lirë se politikanët duan të diktojnë diskursin publik dhe t’i shmangin kritikat drejtuar atyre.
Georgievski thotë se ekzistojnë disa kufij për sa i përket pavarësisë së mediave dhe se deklaratat e Kovaçevskit dhe Ahmetit i kalojnë ata kufij.

“Duhet të shpresojmë se situata nuk do të përshkallëzohet dhe nuk do të kthehet në kohën e qeverisjes së [Nikolla] Gruevskit [ish-kryeministër] dhe grupit të tij, familjes dhe si i trajtuan mediat”, thotë Georgievski.

Në luftë me mediat duke hedhur kritika të vazhdueshme ka qenë ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, gjatë qeverisjes nga viti 2006 deri më 2016.

Edhe nga bisedat e përgjuara, të cilat u bënë publike në vitin 2015, u bë e njohur lidhja e ngushtë e tij me media të caktuara dhe ndërhyrja në politikat redaktuese të mediave të caktuara.

Çështja e mediave dhe liria e shprehjes ishte apostrofuar si çështje problematike në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian

Se situata me mediat nuk ka marrë drejtimin e duhur flet dhe rezultati i anketës së realizuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, IRI, publikuar në dhjetorin e vitit të kaluar ku vetëm 7 për qind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut u besojnë mediave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button