Një fëmijë shtatë vjeçar nga Prilepi ka raportuar rrejshëm për bombë në shkollë

Policia dhe Prokuroria e Prilepit janë duke zbardhur rastin në të cilin një fëmijë shtatë vjeçar ka raportuar rrejshëm se në shkollën e fshatit Zhitoshe të komunës së Dollnenit dyshohet se ishte vendosur mjet shpërthyes, transmeton Portalb.mk nga Radio Evropa e Lirë (REL).

Siç informojnë nga Sektori për Punë të Brendshme Manastir, dje, më 16 janar në ora 18:16, i mituri në prani të disa të miturve të tjerë përmes telefonit ka lajmëruar në polici se në një shkollë në fshatin Zhitoshe është vendosur bombë.

Policia e zbardhi rastin dhe u konstatua se bëhej fjalë për kallëzim të rremë. Me të miturit janë zhvilluar biseda zyrtare, në prani të prindërve të tyre, gjatë të cilave kanë sqaruar mënyrën e kryerjes së krimit.

Nga ana e Zyrës së Jashtme për Çështje Kriminale në Policinë e Prilepit sot është dorëzuar kallëzim në Prokurorinë Themelore Publike – Prilep për kallëzim të rremë për veprën penale “terrorizëm”, e dënueshme nga neni 394-b të Kodit Penal.

Prokuroria thotë se kur përfshihet një i mitur, një shtatëvjeçar, njoftohet Qendra për Çështjet Sociale, nga ku duhet biseduar me prindërit dhe qortuar.

Situata të tilla shqetësojnë publikun, aq më tepër që bëhet fjalë për një të mitur shtatë vjeçar. Aq më tepër sepse po ndodh në kohën kur ka pasur raportime të rreme të përhershme për bomba nëpër shkolla.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, përkatësisht disa qytete të saj, që nga 26 tetori i vitit 2022, disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave, por më pas edhe të institucioneve, qendrave tregtare, aeroporteve, është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Deri tani, të gjitha denoncimet kanë rezultuar të jenë të rrejshme. MPB, vazhdon të deklarojë se po punon në zbardhjen e tyre, por deri më tani nuk dihet se prej ku vijnë këto kërcënime.

Tani me nisjen e pushimeve dimërore, kërcënimet janëë ndërprerë dhe pritet të shihet nëse të njëjtat do të rifillojnë pas festave, posaçërisht pas nisjes së nxënësve në shkolla ku kërcënimet ishin më të shpeshta.

Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Të tilla përcënime për bomba ka pasur edhe në Serbi dhe Mal të Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button