Pas arratisjes së Bekim Memetit, Qeveria e shkarkoi drejtorin për Zbatimin e Sanksioneve Marjan Spasovski

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme e ka shkarkuar drejtorin e Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Marjan Spasovski, disa ditë pasi 36-vjeçari Bekim Memeti u arratis nga Burgu i Idrizovës, pas çka tre policë dhe komandanti i turnit përfunduan në paraburgim nën dyshimin se e kanë ndihmuar të burgosurin të arratiset, njofton Portalb.mk.

Qeveria, nuk dha detaje për arsyen e shkarkimit. Një ditë më parë, kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se ka filluar procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për drejtor të ri të Drejtorisë, pasi që nuk është i kënaqur nga puna e Spasovskit.

Spasovksi u emërua për drejtor në nëntor të vitit 2020. Paraprakisht ka qenë drejtir i Burgut të Kumanovës.

Dje, Ministria e Drejtësisë njoftoi se me datë 13.01.2023, Drejtoria për Zbatim të Sanksioneve ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme në Stacionin Policor Idrizovë me qëllim të konstatimit të të gjitha rrethanave që kanë sjellë deri te arratisja e personit të dënuar Bekim Memeti.

Në lidhje me arratisjen spektakolare të Memetit, Njësiti për Korrupsion në Sektorin e Hetimeve Kriminalistike në Ministrinë e Brendshme i ka dorëzuar Prokurorisë Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kallëzim penal kundër katër personave, tre policë të burgut dhe komandantit të turnit të Burgut të Idrizovës, gjegjësisht për: S.D. (50). T.A. (34), I.A. (49) dhe T.P. (47) për kryerjen e veprës penale “Lirim i kundërligjshëm i personit të privuar nga liria”.

Gjatë arratisjes, një pjesëtar i policisë së burgjeve nga INP “Idrizovë” ka mbetur i plagosur gjatë arratisjes në mesnatën e 12 janarit. Sipas informacioneve të MPB-së, Memeti ia ka marrë armën njërit prej policëve të cilët e kanë shoqëruar gjatë transportit me furgon të burgut për ndihmë mjekësore në spital. I burgosuri e ka qëlluar me armë njërin prej policëve dhe ka arritur që të arratiset me veturë tjetër të tipit “Audi”.

36 vjeçari Memeti është i dënuar me gjithsej 21 vjet burgim, nga të cilat 19 për vrasje dhe 2 për prodhim dhe tregtim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve. Ai ishte në burg prej 28 dhjetorit të vitit 2020, ndërsa do të duhej t’i përfundojë më 17 prill të vitit 2040.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button