BERZh me kredi prej 55 milionë eurosh do të financojë ndërtimin e deponive rajonale, stacionet e transferimit dhe mbylljen e deponive ilegale në RMV

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mbështet Maqedoninë e Veriut në modernizimin dhe zgjerimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta. Banka siguron kredi shtetërore prej 55 milionë euro që do të financojë ndërtimin e dy deponive të reja rajonale dhe rehabilitimin e njëdeponie ekzistues, stacione të reja transferimi për mbetjet e ngurta me infrastrukturë të përshtatshme grumbullimi dhe transporti dhe një qendër riciklimi. Dy deponi ilegale do të mbyllen. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, transmeton Portalb.mk.

Ky investim parashikon ngritjen e tre sistemeve të integruara rajonale për menaxhimin e mbetjeve sipas standardeve të Bashkimit Evropian (BE), në pesë rajone (Polog, Jugperëndim, Pelagonia, Vardar dhe Juglindje), të cilat do të sigurojnë grumbullimin dhe transportin e mbetjeve për më shumë se një milion qytetarë. Si rezultat i projektit, praktika e depozitimit të mbetjeve të ngurta në deponitë ilegale do të çrrënjoset dhe do të futet një sistem i ri i punës, i cili është i sigurt për mjedisin dhe përputhet me standardet e BE-së.

Suzan Goranson, drejtoreshë e Infrastrukturës në Evropë, BERZH tha:

“Ne jemi të kënaqur të mbështesim modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në Maqedoninë e Veriut, me investimin tonë të parë në këtë sektor. Modernizimi i sistemeve të menaxhimit të mbetjeve dhe rritja e normave të riciklimit janë çelësi për reduktimin e ndotjes, krijimin e mundësive në ekonominë cirulare dhe për ta sjellë vendin më pranë standardeve mjedisore të BE-së”.

Ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut Fatmir Besimi, nga ana tjetër tha se ky investim është i një rëndësie kyçe për një të ardhme të gjelbër dhe të qëndrueshme të Maqedonisë së Veriut.

“Jo vetëm që do të ulë ndjeshëm ndotjen, si një prioritet kryesor për qytetarët tanë, por do të shërbejë edhe si shembull kryesor për nxitjen dhe zhvillimin e projekteve të reja në fushën e ekonomisë cirkulare. Jemi krenarë që së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për herë të parë po sjellim një ndryshim kaq të rëndësishëm në menaxhimin e mbeturinave të ngurta, në përputhje me standardet e BE-së. Ky investim, i mbështetur nga BERZH, si dhe grantet e Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Zvicrës dhe Programi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, siguron zhvillimin e begatë rajonal të vendit tonë”, tha Besimi.

Naser Nuredini, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se më në fund, pas 31 vitesh pavarësi, Maqedonia e Veriut po investon seriozisht në ndërtimin e infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave sipas standardeve evropiane.

“Kjo konfirmon angazhimin tonë, si Qeveri dhe ministri, për realizimin e agjendës së gjelbër për vendin. Qasja e re e parashikuar nga sistemi rajonal i menaxhimit të mbetjeve do të mundësojë zbatimin e grumbullimit, transportit dhe depozitimit më efikas të mbetjeve, si dhe ndërtimin e dy deponive në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe të BE-së për deponitë. Ne investojmë për të mirën e qytetarëve tanë, por në të njëjtën kohë krijojmë një mjedis më të mirë, më të shëndetshëm dhe kushte jetese për brezat e ardhshëm, falë mbështetjes që marrim nga BERZH”, shtoi ministri.

Projekti do të mbështetet edhe nga fondet e donatorëve në shumën prej 24 milionë euro grante investimi dhe 13.1 milionë euro asistencë teknike, përmes Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike të Zvicrës (SECO), Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA). dhe Programi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Mbështetja financiare nga Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike të Zvicrës, prej rreth 9 milionë euro, do të ndahet për një komponent investues prej rreth 6 milionë euro për finalizimin e rehabilitimit të deponisë në Pollog dhe afërsisht 3 milionë euro për zhvillimin e mëtejshëm të menaxhimin institucional të nivelit rajonal dhe lokal në sektor. Ndihma financiare nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Zvicrës do të përdoret edhe nga Komisioni Rregullator për Shërbimet e Energjisë dhe Ujit, në fushën e zgjerimit të kompetencave të tyre në sektorin e mbetjeve të ngurta, përfshirë përgatitjen e një metodologjie të re tarifore.

Projekti përfshin një komponent për prokurimin publik gjithëpërfshirës dhe me përgjegjësi shoqërore, financuar nga Programi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), përmes të cilit do të ofrohen trajnime për anëtarët e komunitetit rom dhe gratë dhe do të jepet një shembull, se si projektet e mëdha të infrastrukturës në sektorin e mbetjeve të ngurta mund të kontribuojnë në gjithëpërfshirje.

Gjithashtu, pritet mbështetje përmes Programit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) në vlerë prej 22.3 milionë euro, si dhe 2 milionë euro për përgatitjen e studimeve zhvillimore në të dy rajonet. Përgatitja e projektit dhe zbatimi i ardhshëm mbështeten nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), me burime financiare prej 1 milion euro.

Projekti është në përputhje me Marrëveshjen e Parisit dhe duke ndjekur dispozitat e saj, do të reduktojë ndjeshëm emetimet e gazeve serrë, me një reduktim të vlerësuar të emetimeve prej rreth 182,000 ton dioksid karboni në vit.

BERZH është një nga institucionet kryesore, investitor në Maqedoninë e Veriut. Deri më sot, ajo ka investuar mbi 2.5 miliardë euro në 171 projekte nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, me fokus kryesor zhvillimin e sektorit privat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button