SOCIALIGJENCA  (I)

Një bisedë spontane me një profesor në byfenë e UEJL-së, dhe mes tjerash, ky i fundit lidhur me personin X përdori edhe fjalinë: “Ka një inteligjencë të fuqishme sociale”. Kisha dëgjuar edhe më parë për shprehjen inteligjencë sociale, por s’e di pse atë ditë e njëjta m’u ngulit në kokë si çështje. Lëshova motorët mendorë vetjakë të kërkimit dhe bëra përkufizimin e çastit, poshtë-lartë, siç ma merrte mendja: aftësi e sociabilitetit pozitiv që s’është e bashkëlindur. Dhe me t’u kthyer në zyrë, menjëherë vendosa që një nga shkrimet e mia të radhës t’ia kushtoj kësaj sintagme që nënkupton aftësinë për të kuptuar aksionet personale dhe ato të huajat, që njihet si takt ose “sens i përbashkët”, “gjykim i shëndoshë”, që ka të bëjë me shkathtësitë interpersonale dhe të motivimit të të tjerëve për sjellje bashkëpunuese. Hulumtimi leksikor më shpuri te konstatimi se Fjalori i gjuhës së sotme shqipe  s’e kishte as fjalën inteligjencë, madje e njëjta nuk figuronte as në platforma digjitale si fjale.al, as te fjalorthi.com. Aty gjetëm vetëm zgjuarsinë që shpjegohej si mençuri, mendjemprehtësi, dhe ilustrohej me zgjuarsinë natyrore (të lindur) dhe atë të jashtëzakonshme. Si libër që lidhej me temën e interesimit para më doli Inteligjenca sociale e David Golemanit (Pema, Tiranë, 2022), një artikull dhe një video dyminutëshe.

Inteligjenca sociale dallon nga inteligjenca klasike, IQ, siç e kishin konceptualizuar Alfred Binet dhe më vonë William Stern: kualitete si shkathtësitë analitike, arsyetim logjik, për ndërlidhje të shumë gjërave, për të regjistruar dhe për të rigjetur informacion. Sipas Amy Morin-it (2020) “individët me inteligjencë sociale mund të ndjejnë se si të tjerët ndjehen, të dinë intuitivisht çfarë të thonë në situara shoqërore, të ndjehen të sigurt në vetvete madje edhe në turma kur humbet kontrolli”, kur gjithçka lëviz drejt kaosit e anarkisë. Ky lloj i inteligjencës nuk është një diçka me të cilën vijmë në këtë botë; përfshin aftësi të cilat individi i mëson me kalimin e kohës. Një term i ngjashëm,  sinonim, më drejt, neologjizëm-sinonim, është socialigjenca (socialigence) që shenjon “aftësinë e një personi për të përshtatur emocionet e njerëzve të tjerë, për të lexuar shenjat delikate të sjelljes së tjetrit për të zgjedhur përgjigjen më efektive në një situatë të caktuar”. (Atre, 2023)

Teoria e inteligjencës sociale për herë të parë është trajtuar para një shekulli, në vitin 1920, kur psikologu Edward Thorndike e përkufizoi atë si aftësi për të kuptuar dhe menaxhuar burrat dhe gratë, djemtë e vajzat dhe sjelljet në marrëdhëniet njerëzore,” si një vegël “për të vepruar urtë me marrëdhëniet njerëzore” (to act wisely in human relationship). Inteligjenca sociale ka të bëjë me interpretimin e sjelljeve të të tjerëve në terma të gjendjeve të tyre të brendshme (mentalising), me parashikimin se si të tjerët ndjehen, mendojnë dhe sillen, me ndikimin në gjendjen dhe sjelljen mendore në mënyra që i kshtojnë rëndësi qëllimit (goal-relevant ways). Domenet e këtij lloji të inteligjencës janë njohja individuale, njohja e emocioneve, reciprociteti, bashkëpunimi, hierarkia dhe negocimi i statusit, distinksionet brendagrupore/jashtëgrupore, empatia, nxjerrja e gjendjes mendore të huaj, gjuha dhe bisedimi.

Sipas Weis dhe Süß (2005) inteligjenca sociale përfshin të kuptuarit social, memorjen sociale, perceptimin dhe kreativitetin social. Goleman në librin e tij të vitit 2006, The Social Intelligence, këtë lloj të inteligjencës e ka quajtur “shkencë të re të marrëdhënieve njerëzore”, kurse Landy (2006: 81) është shprehur se ky term është zëvendësuar nga një tjetër më modern, “inteligjenca emocionale”, e cila përfshin vetë-vetëdijen, vetërregullimin dhe vetëmotivimin. Nocione të ngjashme me të janë edhe kompetenca sociale (SC) dhe ajo emocionale (EC), zgjuarësia e rrugës (street smarts), vetëdija sociale (social awareness), shkathtësia sociale (social skills) etj. Gardneri flet për inteligjenca të shumëllojshme, dhe në këtë drejtim ka elaboruar dy syresh të rëndësishme intrapersonale dhe interpersonale, e cila përfshin senzitivitetin ndaj gjendjes spirtërore, ndjenjave, temperamentit dhe motivimeve të të tjerëve, aftësinë për të bashkëpunuar si pjesë e grupit. Ndër shenjat e inteligjencës sociale janë: dëgjimi efektiv, shkathtësitë komunikues, menaxhimi i reputacionit (të kushtuarit rëndësi përshtypjes që lëmë te tjetri), shmangia e përleshjeve/përfytjeve.  (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button