Mungesa e vullnetit për sundim të ligjit në Maqedoninë e Veriut

Në vitet e fundit është debatuar nëse Ballkani Perëndimor do të mund të integrohet në BE deri në 2030. Përderisa shumë çështje janë lënë në dorë të vetë qeverive ballkanike, BE nga ana tjetër është zënë me punë më të rëndësishme si pavarësia nga gazi rus, emigracioni, pabarazia sociale dhe bota e re kineze e ekonomisë e cila po konkurron me perëndimoren.

Përderisa Perëndimi vazhdon të luftojë padrejtësitë brenda vetes, Ballkani Perëndimor i gjendur në udhëkryqin e rëndësishëm strategjik në mes Lindjes dhe Perëndimit, në këtë kohë është vënë para një ndryshimi të ri. Dhe ky ndërrim është i dukshëm duke shkaktuar një rënie të besimit të qytetarëve se një ditë këta shtete do të bëhen pjesë e BE-së apo do të jenë shoqëri vërtetë të hapura. Pesimizmi është ende më i lartë, kur dihet se shtetet si Serbia, Shqipëria, Maqedonia e V. dhe Kosova kanë një shkallë të lartë të krimit të organizuar dhe institucione që nuk dënojnë. Më e keqja është se disa diplomatë të shteteve perëndimore vazhdojnë të bashkëpunojë me të njëjtit politikanë të cilët e kanë shtyrë për tre dekada Ballkanin në një krizë të mosbesimit, lidhjeve të dyshimta me Rusinë, rritje të korrupsionit, luftëra dhe natyrisht krime mbi popullsinë e pafajshme.

Diplomatë të huaj vazhdojnë ende të përdorin vetëm karota për drejtuesit e qeverive ballkanike dhe asesi të vendosin disa në një listë të re të përditësuar të zyrtarëve të përfshirë dhe të dyshuar jo vetëm për korrupsion dhe cënim të sigurisë. Gjendja është dëshpëruese, dhe do të jetë e tillë deri atëherë kur banorët e Ballkanit do të shohin veprime konkrete nga SHBA dhe BE në rajon.
Këtu duhet të jemi realistë në ndihmën e madhe që kanë ofruar partnerët ekonomikë dhe politikë ndaj shteteve të rajonit tonë që kur RSFJ-ja u shpërbë. Megjithatë shpërndarja e parave nga Perëndimi pa kontroll dhe rezultate konkrete ka gëzuar vetëm politikanët që sot quhen si të paprekshëm. Disa prej tyre si në Maqedoninë e V. janë veshur me teshat se kinse janë lojtarët kryesorë të sigurisë dhe pa ta mund të lëkundet balanca ndëretnike. Gënjeshtrat që shpërndajnë disa politikanë të tillë, SHBA -ja dhe BE-ja nuk duhet më t’i dëgjojnë. Po shihet haptazi se po këta “siguresa” të balancës në mes luftës dhe paqes nuk kanë në dorë asgjë.

Aktualisht profile të ngjashme liderësh si në Maqedoninë e V. mund të gjenden në Shqipëri, Bosnjë, Serbi dhe në Kosovë. Të kthehemi përsëri në Maqedoninë e V. ku qeveria bashkë me BE-në po diskutojnë një nga një kapitujt e BE-së. Kapitulli 24 dhe 25 për MV janë të pakapshme, sepse brenda në institucione ka shumë pak vullnet për të funksionuar shteti i së drejtës. Në teori në MV-së mund të gjesh drejtësi, por mund të pengohesh shumë lehtë nga një zyrtarë me pozitë të ultë dhe i pafuqishëm.

Dhe në fund të përfundosh në rrjetin e fuqishëm të krimit dhe korrupsionit të ngritur nga organet e rendit, shëndetësisë e deri tek gjykatat. Do të duhet një ndërhyrje nga shefi lokal i politikës dhe disa mijëra euro apo dollarë për të shpëtuar nga dënimi jo i drejtë. Pasi në fund SHBA dhe BE i kanë zbuluar fushat e dobëta se ku duhet të intervenojnë, atëherë koha është në anën e tyre. Mbetet vetëm që të flitet pak dhe të shohim më shumë vepra konkrete jo vetëm nga shtetet që kanë mbështetur qeveritë e rajonit, por edhe nga vetë zyrtarët që deklarojnë se janë kinse për shtet ligjor dhe vlera të BE-së.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button