Institucionet të zgjohen: Të parandalohen sulmet ndaj qytetarëve nga qentë, por edhe vrasjet e qenve dhe hedhja e helmeve (Foto)

Vrasjet e qenve endacakë në Strugë para dy ditëve dhe numri i madh i kafshimeve thyen durimin e qytetarëve, të cilët prej vitesh presin nga institucionet kompetente zgjidhjen e problemit me rritjen e numrit të qenve endacakë në mbarë vendin. Aktivistët e disa shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, si dhe qytetarë e individë të tjerë që ndihmojnë në shpëtimin e qenve të rrugës u mblodhën sot para qeverisë në protestë, transmeton Portalb.mk.

Qytetarët u shprehën se janë aty për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj institucioneve, nga të cilat prej vitesh marrin premtime se problemi i qenve endacakë do të zgjidhet, por çdo ditë dhjetëra ngjarje të pakëndshme na kujtojnë se ky problem nuk është prioritet për shtetin.

“Kemi helmime nëpër rrugë dhe parqe, qytetarë të sulmuar nga qentë, përvoja brutale mbi kafshët, si ngjarja e fundit në Strugë kur u vranë pa mëshirë me pushkë mbi 20 qen në lokacione të ndryshme”, theksuan aktivistët, të cilët shtruan pyetjen nëse njerëzit që ishin duke ecur lirshëm me armë në dorë a kanë menduar se plumbat mund të kishin goditur njerëzit.

Ata kritikuan edhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila sipas tyre për fat të keq prej vitesh nuk ka ngritur gishtin për këtë problem, ndaj ndoshta për këtë arsye qytetarët e drejtojnë revoltën e tyre ndaj shoqatave qytetare, të cilat nuk marrin vendime në këtë drejtim, por ndihmojnë me aq sa kanë mundësi.

Me qëllim të parandalimit të sulmeve ndaj qytetarëve nga qentë, vrasjeve dhe helmimet, nga të cilat mund të vuajnë edhe njerëzit, shoqatat qytetare kanë dorëzuar disa kërkesa – propozime konkrete te institucionet kompetente, që të punojnë seriozisht në këtë drejtim.

Foto: Meta.mk

Në ndërkohë, tash e dy ditë rëndësia e miratimit të Ligjit të ri për kafshët shtëpiake është në fokus të opinionit, për rëndësinë e të cilit Meta.mk ka shkruar disa herë, sepse Ligji i fundit për mirëqenien e kafshëve është i vitit 2014 dhe nuk ofrojnë zgjidhje adekuate për reduktimin e numrit të madh të kafshëve endacake të rrugës, përfshirë qentë dhe macet, aktivistët vazhdimisht kanë dërguar kërkesa me sugjerime lidhur me këtë çështje.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha sot se i ka dhënë urdhër ministrit të bujqësisë Ljupço Nikollovski që të përgatisë një ligj krejtësisht të ri për kafshët shtëpiake, i cili do të përfshijë kërkesat e organizatave për mbrojtjen e kafshëve.

Kujtojmë që dje, kryeministri për këtë problem theksoi se edhe krahas asaj që bëhet fjalë për kompetencë të autoriteteve lokale, Qeveria do të kërkojë ndihmë nga Brukseli, përmes programeve IPARD që të ndërtohet një strehimore e cila do të jetë shtëpi për ata qen.

Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për këtë problem, me theks të veçantë për Tetovën dhe rajonin e Pollogut, por edhe për Strugën. Sipas komunave, kërkohet zgjidhje në nivel shtetëror. Në drejtim të zgjidhës së këtij problemi në nivel nacional, në fund të dhjetorit 2022, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Stojançe Angellov ndau planin e këtij institucioni për qentë endacakë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button