Organizata Trump u gjobit me 1.6 milionë dollarë

Kompania e ish-presidentit Donald Trump u gjobit të premten me 1.6 milionë dollarë për një skemë përmes së cilës drejtuesit më të lartë të kompanisë shmangën taksat mbi të ardhurat personale nga shpërblime të konsiderueshme. Gjobitja është një ndëshkim simbolik, që nuk ka gjasa ta dëmtojë shumë kompaninë që ka prona në miliarda dollarë, transmeton Zëri i Amerikës (VOA).

Por gjobitja ishte dënimi i vetëm që mund të jepte një gjyqtar për Organizatën Trump pasi u shpall fajtore muajin e kaluar për 17 krime tatimore, përfshirë konspiracion dhe falsifikimin e të dhënave të biznesit. Shuma ishte maksimumi i lejuar me ligj. Gjykatësi Juan Manuel Merchan i dha kompanisë 14 ditë kohë për të paguar. Nëse një person do të dënohej për të njëjtat krime do të përballej me vite të tëra në burg.

Vetë Trump nuk ishte i akuzuar dhe kishte mohuar të kishte dijeni se një grup i vogël drejtuesish të komanisë po shmangnin taksat mbi shpërblime dhe përfitime, përfshirë apartamente pa qira, makina luksoze dhe arsimimimin në shkolla private. Prokurorët thanë se përfitime të tilla ishin pjesë e asaj që ata e quajtën “paketa luksoze e kompensimit ekzekutiv” të Organizatës Trump.

Kompania mohoi të ishte angazhuar në keqbërje dhe tha se do të apelonte vendimin.

“Këta prokurorë të motivuar politikisht nuk do të ndalen para asgjëje për të sulmuar Presidentin Trump dhe për të vazhduar gjuetinë e pafund të shtrigave që filloi ditën që ai shpalli presidencën,” tha kompania në një deklaratë pas vendimit për gjobitjen.

As ish-presidenti dhe as fëmijët e tij, të cilët ishin mes drejtuesve të Organizatës Trump, nuk ishin në sallën e gjyqit.

Megjithëse gjoba – që është një shifër më e ulët se kostoja e një apartamenti në Kullën Trump – nuk është aq e madhe sa të ndikojë në operacionet apo të ardhmen e kompanisë, dënimi është një njollë në reputacionin e republikanit si një biznesmen i zoti ndërsa ai bën fushatë për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Jashtë sallës së gjyqit, Prokurori i Qarkut të Manhattanit, Alvin Bragg, një demokrat, tha se do të donte që ligji të parashikonte një dënim më të rëndë.

“Dua të jem shumë i qartë: ne mendojmë se kjo nuk është e mjaftueshme,” tha ai. “Ligjet tona në këtë shtet duhet të ndryshojnë për të ndëshuar këtë lloj mashtrimi sistematik dhe skandaloz që ka vazhduar përmbi një dekadë.”

Përveç kompanisë, vetëm një drejtues u akuzua në këtë çështje: ish-shefi i financave i Organizatës Trump, Allen Weisselberg, i cili pranoi verën e kaluar fajësinë për shmangie taksash për kompensime prej 1.7 milionë dollarësh. Ai u dënua të martën me pesë muaj burg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button