Inspektorati i Mjedisit i dha detyrime dhe afate çimentores “Usje”, nëse nuk i plotëson, kërcënohet me heqje të lejeve

Pas matjeve të emetimeve të gazrave në Çimentoren “Titan-Usje” në Kisella Vodë në datat 3 dhe 4 janar, të cilat rezultuan tre herë më të larta se sa lejohet, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit (ISHM) miratoi vendim me të cilin fabrikës i përcaktohen detyrat që duhet t’i përmbushë brenda një afati të caktuar për shkak të mangësive të konstatuara, njofton Portalb.mk.

Një nga detyrat, të cilën fabrika duhet ta dorëzojë brenda pesë ditëve pas marrjes së vendimit nga Inspektorati, është përdorimi i gazit natyror si lëndë djegëse në dy kaldajat, sipas lejes së marrë A të integruar mjedisore. Në të njëjtën kohë, siç shtohet nga IShMJ, fabrika duhet të kryejë një lidhje të përshtatshme për matjen e emetimeve me një metodë të akredituar.

Brenda 10 ditëve pasi gazi natyror të përdoret si lëndë djegëse për ngrohjen e fabrikës, “Usje” duhet të masë shkarkimin e gazrave nga oxhaku i kaldajës që do të jetë në punë.

Pesëmbëdhjetë ditë pas marrjes së vendimit, në prani të një inspektori shtetëror mjedisor, monitorimi i të gjitha pikave të emetimit nga proceset e prodhimit duhet të bëhet në çimentore me një laborator mjedisor të akredituar.

“Shpenzimet e analizave të kryera në datat 3 dhe 4 janar 2023 përballohen nga subjekti i inspektimit pasi u konstatua se mostrat nuk plotësojnë standardet e përcaktuara sipas lejes A-IM. Afati për zbatimin e detyrës është 10 ditë nga marrja e vendimit”, shtoi Inspektorati.

Nëse konstatohet se Fabrika e çimentos “Usje” nuk vepron sipas vendimit të Inspektoratit, IShMJ-ja shton se do të paraqesë kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse, përkatësisht penale pranë organeve kompetente dhe do të fillojë një procedurën për revokimin e lejeve dhe marrjen e autorizimeve të fabrikës.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dje në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp deklaroi se në periudhën e kaluar janë zbatuar matje të ajrit ambiental në fabrikën Çimentorja TITAN USJE dhe se është konstatuar se ka përqendrim të lartë të grimcave të cilat e ndotin ajrin. Ajo tha se ka ndërmarrë iniciativë që të ngritët procedurë penale.

“Më askush nuk do të tolerohet. Shëndeti i të gjithë neve që jetojmë këtu nuk guxon të varet prej profitit të disa personave. Bëhet fjalë për Çimentoren USJE ku janë kryer matjet e ajrit ambiental në fabrikë dhe është parë se ka përqendrim të lartë të grimcave të dëmshme të cilët në mënyrë të ndjeshme ndikojnë në përkeqësimin e cilësisë së ajrit ambiental në tërë zonën e Qytetit të Shkupit, tha Arsovska.

Ndryshe, më 21 gusht, shpërtheu zjarr në rrethin e Çimentores Usje në Kisella Vodë të Shkupit. Sipas Njësitit Territorial Kundër Zjarrit – Shkup, zjarri sipas të gjitha gjasave është shkaktuar nga defekti i instalimit elektrik.

Rikujtojmë që seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit, në të cilën duhej të diskutohej për rekomandimet kundër ndotjes së ajrit, iniciuar nga grupi i këshilltarëve të LSDM-së, nuk do të mbahet. Këtë e ka bërë të ditur sot kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, i cili përmes një komunikate me shkrim të dërguar nga partia e tij amë VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se nuk është mbledhur numri i mjaftueshëm i nënshkrimeve për mbajtjen e seancës.

Për dallim prej ditëve të kaluara, sot Shkupi u rendit në vendin e 53-të sipas listës së qyteteve më të ndotura në botë. Kjo do të thotë përmirësim i situatës për dallim prej disa ditëve, kur kryeqyteti me ditë ishte në top-dhjetëshen, ose në top-pesë qytetet më të ndotura. Mirëpo, kjo me shumë gjasa ka ardhur vetëm për shkak të reshjeve të shiut, i cili ka pastruar pak ajrin e Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button