U shënua 110-vjetori i krijimit të Policisë së Shqipërisë

Me disa ceremoni dhe aktivitete në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, është shënuar sot 110-vjetori i krijimit të Policisë së Shqipërisë, raporton Anadolu Agency(AA).

Ceremonia qendrore për këtë përvjetor u organizua në ambientet e Drejtorisë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, të Policisë dhe zyrtarëve të tjerë.

Zëvendësministri i Brendshëm i Shqipërisë, Andi Mahila, gjatë fjalës së tij në ceremoni tha se në jetën e saj 110-vjeçare, Policia ka kaluar kalvarin e vet.

Ai thekoi se Policia e Shqipërisë është konsoliduar si një institucion dinjitoz në shërbim të qytetarëve, që mbron rendin, qetësinë, jetën dhe pronën e tyre.

“Sot jemi në një etapë të re, shumë më pozitive dhe premtuese se çdo fazë tjetër të shtetit tonë. Jemi në fazën e integrimit në familjen e madhe evropiane dhe në këtë rrugëtim, policia e shtetit është ndër organizmat më të rëndësishëm që luan një rol kyç në jetësimin e kësaj ëndrre mbarëkombëtare”, tha Mahila.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Muhamet Rrumbullaku, në fjalën e tij në ceremoni tha se historia e shtetit shqiptar është e lidhur ngushtësisht me historinë e Policisë.

“Ndoshta e brishtë kur u krijua në 13 janar 1913, si Forcë e Ruajtjes së Rendit, por e shndërruar në ditët e sotme në një institucion të fuqishëm në mbrojtje të shtetit demokratik dhe lirive e të drejtave të njeriut, dhe e renditur krahas institucioneve ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit që tashmë nuk njeh kufij dhe sigurimit të rendit dhe sigurisë së vendit tonë”, u shpreh ai.

Rrumbullaku tha se vlera dhe kontributi i Policisë i japin dimensione të jashtëzakonshme dhe krejt të veçanta Shqipërisë dhe misionit të Policisë së Shqipërisë.

Si datë e krijimit të Policisë së Shtetit Shqiptar njihet 13 janari i vitit 1913.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button