Kovaçevski nuk e përjashton mundësinë e një takim të ri të liderëve për ndryshimet kushtetuese

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk ka plane për momentin, por nuk e përjashton mundësinë e një takimi të ri të liderëve për ndryshimet kushtetuese dhe çështjet më të rëndësishme, transmeton Portalb.mk.

“Procesi i ndryshimeve kushtetuese ka kornizën e vet të përcaktuar me ligj dhe Kushtetutë dhe kërkon përfshirje eksperte dhe politike. Bisedimet në nivel politik sigurisht që ekzistojnë dhe nevojitet një konsensus më i gjerë politik dhe social. Në atë drejtim ka qenë edhe mbledhja e liderëve që kam thirrur para fundit të vitit të kaluar për të parë qëndrimet e të gjitha partive politike. Ndryshimet kushtetuese i nevojiten shtetit për të vazhduar rrugën e tij evropiane drejt anëtarësimit të plotë në BE. Nuk ka vend për mbështetje deklarative për BE-në, siç mund të mendohet, por tani duhet të kemi mbështetje reale politike për anëtarësim, sepse ngecja e një procesi të tillë do të thotë që ne do të ngecim veten për herë të parë. Takimi i ri i i liderëve nuk është paralajmëruar për momentin, por nuk e përjashtoj një mundësi të tillë ku mund të diskutojmë për çështjet më të rëndësishme”, u përgjigj Kovaçevski në pyetjet e gazetarëve për ndryshimet kushtetuese dhe mundësinë e një takimi të ri liderësh.

Ai përsëriti se ne jemi një vend që kryeson OSBE-në këtë vit dhe se dje Ministri i Punëve të Jashtme prezantoi prioritetet e presidencës së OSBE-së.

I pyetur se si do ta bindë opozitën që të kryejë ndryshimet kushtetuese deri në nëntor, Kovaçevski thotë:

“Mendoj se në 10 muaj mund të bëhen shumë gjëra. Të gjithë duhet të jenë përgjegjës ndaj shtetit dhe qytetarëve. Unë nuk jam një person që kam ardhur në një pozicion për të bindur dikë, por për të zbatuar strategjinë dhe synimet që shteti ka përshkruar 31 vjet më parë. Ne udhëhiqemi nga strategjitë dhe synimet e vendit për anëtarësim të plotë në BE. Jam i bindur se në vend ka mjaft substancë politike të motivuar evropiane”.

Kreu i Lëvizjes Besa, i pyetur në fund të vitit të kaluar për ndryshimet kushtetuese dhe kërkesën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme deklaroi se këto duhet të diskutohen në takim të liderëve të partive parlamentare. Sipas Kasamit, prioritetet ndryshojnë varësisht nga pozicionimi në sferën politike.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski para disa kohësh ka deklaruar se për të është e qartë se vendimi i deputetëve në Kuvend për ndryshimet kushtetuese nuk do të jetë i lehtë, por nga ta pret që të tregojnë sjellje burrështetasish. Ajo që është e qartë sipas kryeministrit, është se deputetët kanë zgjedhjen ta lënë vendin në stagnim ose të marrin një vendim për një të ardhme më të mirë.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor. Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button