Këshilli Rinor Lokal në Tetovë ende nuk është themeluar, procedurat drejt fundit

Në Komunën e Tetovës ende nuk është themeluar Këshilli Rinor Lokal (KRL). Deri tani, Komuna disa herë ka shpallur thirrje të ndryshme publike në lidhje me formimin e këtij organi, i cili është detyrim ligjor. Megjithatë i njëjti nuk është formuar ende, sipas Komunës procedurat janë shumë burokratike dhe sipas tyre për këtë opinioni do të njoftohet në seancën e radhës të këshillit komunal, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Tetovës filloi zyrtarisht aktivitetet për themelimin e këtij organi komunal për të rinjtë me 21 qershor 2022. Konkretisht shpalli thirrje publike për anëtarët e Këshillit Nismëtar për themelimin e këshillit rinor lokal në komunë. Numri i paraparë ishte pesë, dhe vetëm ata kanë rolin për të themeluar KRL-në. Kohëzgjatja e Këshillit Nismëtar është afatshkurtër dhe përfundon me thirrjen e këshillit të parë lokal rinor, që nuk është bërë ende.

Katër muaj më vonë, me 17 tetor këshilli nismëtar për themelimin e KRL-së në kuadër të Komunës shpalli thirrje publike për anëtarësim në Këshillin Rinor Lokal për të të gjitha organizatat rinore, forumet rinore të partive politike, organizatat e nxënësve dhe studentëve dhe forma tjera të organizimit të të rinjve. Thirrja ishte e hapur deri me 31 tetor dhe në të ishin të shpallura të gjitha kushtet dhe kriteret.

Megjithatë, me 31 tetor, Komuna e vazhdoi afatin e thirrjes për anëtarësim në Kuvendin Konstituiv Lokal të të Rinjve në Komunën e Tetovës deri me 15 nëntor.

Ndërkaq, vetëm së fundmi, me 5 dhjetor Komuna publikoi thirrje tjetër publike për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Rinor Lokal, e cila ishte e hapur deri me 16 dhjetor.

Për atë se kur pritet përfundimisht të konstituohet ky këshill rinor, nga Komuna e Tetovës thonë se ky është një proces shumë burokratik dhe me shumë procedura, ndërsa publiku do të informohet në seancën e radhës të Këshillit të Komunës së Tetovës.

“Themelimi i KRL-së është tepër burokratik dhe me shumë procedura. Sipas informacioneve që kam ende asnjë komunë nuk e ka themeluar me standardet e ligjit të ri. Thirrjet publike kanë qenë të publikuara në ueb-faqen e komunës me hapat e parapara. Themelimi i Këshillit Nismëtar, Kuvendi Lokal dhe Anëtarësimi në KRL janë thirrje të ndryshme por të lidhura me njëra tjetrën. Palët janë të informuara dhe opinioni do të jetë i informuar në seancën e radhës të Këshillit të Komunës sepse anëtarët patjetër duhet të votohen edhe në këshill”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Kuvendi i RMV-së janarin e vitit 2020 miratoi Ligjin për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore. Ky ligj mes shumë obligimeve tjera, në nenin 16 komunat i detyron që të kenë të formuar Këshill Rinor Lokal i cili do funksiononte si organ i komunës i përbërë nga përfaqësues të rinj të formave të ndryshme të organizimit në Komunë, të cilët kanë rol këshillues dhe avokues për çështjet me interes të të rinjve në vetëqeverisjen lokale.

Në Komunën e Tetovës ka gjithsej 84,770 banorë prej të cilëve sipas regjistrimit të fundit të popullsisë 17,487 janë të rinj, gjegjësisht të moshës nga 15 deri në 29 vjeçe, apo rreth 20,6%.

Sipas një hulumtimi të publikuar në qershor të këtij viti, aso kohe doli se disa nga komunat e rajonit të Pollogut nuk i kanë përmbushur shumicën e obligimeve që rrjedhin nga Ligji për të Rinjtë. Ndërsa po ashtu sipas një hulumtimi tjetër thuhet se të rinjtë në Tetovë nuk janë mjaftueshëm të informuar për Ligjin për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, si dhe përfshirja i tyre në vendim-marrje mbetet e pakënaqshme.

Kur jemi te Komuna, në një intervistë për Portalb.mk gjatë periudhës para zgjedhjeve lokale për Këshillit e Komunës së Tetovës, Besar Durmishi – bartësi i listës nga Lëvizja Besa, tani kryetar i këtij Këshillit Komunal, deklaroi se në kuadër të Këshillit Rinor do të ndajnë si komunë më shumë mjete për të rinjtë dhe aktivitete të ndryshme.

Përndryshe, edhe në nivel kombëtar komunat nuk janë aq të interesuara për të rinjtë, këtë e treguan edhe të dhënat e Këshillit Rinor Kombëtar të Maqedonisë (KRKM) për zbatimin e Ligji për Pjesëmarrje Rinore, ku vetëm 12% e komunave në Maqedoninë e Veriut kanë formuar Këshilla rinore lokale, edhe pse ligji i detyron të gjitha komunat ishin të detyruara ta bëjnë këtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button