Moska ndërroi komandantin e forcave në Ukrainë

Moska emëroi të mërkurën shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralin Valery Gerasimov, në krye të trupave që luftojnë në Ukrainë. Vendimi duket se pasqyron pakënaqësinë e Kremlinit me drejtimin e forcave ushtarake, raporton VOA.

Komandanti i mëparshëm, gjenerali Sergei Surovikin, u ul në detyrë, duke u bërë zëvendës i gjeneralit Gerasimov, së bashku me dy gjeneralë të tjerë.

Riorganizimi i komandës, i cili u urdhërua nga ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, erdhi me miratimin e presidentit rus Vladimir Putin. Ky është një sinjal se zoti Putin vazhdon të ketë besim tek udhëheqësit e lartë ushtarakë rusë, të cilët janë përballur me kritika të gjera për shkak të paraqitjes së dobët të trupave ruse në konflikt.

Vendimi nënkupton gjithashtu një pranim të të metave të atij që zoti Putin e quan “operacion ushtarak special” në Ukrainë.

Teksa njoftoi emërimin e gjeneralit Gerasimov, ministria e Mbrojtjes tha se synonte që me këtë lëvizje, të përmirësonte koordinimin mes forcave të ndryshme që luftojnë në Ukrainë.

Gjenerali Surovikin është vlerësuar për forcimin e koordinimit dhe kontrollit mbi forcat ruse në Ukrainë pas emërimit të tij në tetor. Ulja e tij në detyrë, është tregues se megjithëse zoti Putin nuk është i kënaqur me punën e tij, ai ende beson tek ekspertiza e gjeneralit.

Menjëherë pas emërimit të gjeneralit Surovikin në tetor, trupat ruse u tërhoqën nga qyteti i Khersonit, për shkak të një kundërofensive të fortë ukrainase. Tërheqja nga e vetmja qendër rajonale nën kontrollin rus që prej nisjes së sulmit në Ukrainë më 24 shkurt, i dha një goditje të fortë Kremlinit.

Nga ana e tij, gjeneral Gerasimov, i cili shihej si arkitekti kryesor i sulmit rus në Ukrainë, i ngarkuar me planifikimin strategjik ushtarak, është kritikuar gjithashtu gjerësisht për problemet që po hasnin trupat ushtarake ruse në terren.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button