Abetarja e unifikuar, vitin e ardhshëm në të gjitha trevat shqipfolëse

Nga viti i ardhshëm vogëlushët e të gjitha trojeve shqipfolëse në duart e tyre do të kenë Abetaren e Përbashkët Unike, transmeton Portalb.mk nga TRT Balkan.

Këtë sot e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit dhe e Sportit në Shqipëri, Evis Kushi.

“Abetarja e përbashkët unike është një nga krenaritë e MAS-it dhe një punë e bërë me shumë dashuri me Ministrinë e Arsimit të Kosovës”, tha Kushi në konferencën për shtyp me gazetarët.

Kushi më tutje sqaroi se vogëlushët e klasave të para do të kenë një tekst të ri unik, që nënkupton se shkolla të ndryshme nuk kanë tekste të ndryshme, por kudo kemi një tekst të unifikuar që është përshtatur me kushte të reja, ka kurikulën e re dhe përmbajtje digjitale.

Ministrja Kushi bëri të ditur se tashmë kanë rënë dakord edhe me Maqedoninë e Veriut sepse ata që këtë vit e kanë përfshirë si tekst plotësues, por nga viti i ardhshëm do ta kenë tekst unik në të gjitha shkollat shqipe.

Po ashtu, Kushi informoi se bashkë me ministren e Arsimit të Kosovës po bashkëpunojmë që abetarja të jetë edhe në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës dhe pse jo edhe në diasporë, kudo ku ka vogëlushë shqiptarë, ta mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtin tekst.

Edhe pse kanë kaluar shtatë vjet nga marrëveshja e arritur në sferën e arsimit ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe dhjetë vjet nga përdorimi i abetares së unifikuar shqiptare në Kosovë, nxënësit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut ende nuk e kanë në duar abetaren e unifikuar.

Kujtojmë që, nxënësit e klasës së parë në Shqipëri dhe Kosovë mësojnë me po këtë abetare të unifikuar.

Përdorimi i abetares së unifikuar nga nxënësit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut paraprihej me ndryshim të ligjit të teksteve shkollore. Nëntorin e kaluar Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se abetarja e unifikuar do të përdoret edhe në Maqedoninë e Veriut, por vetëm pasi të jenë modifikuar programet mësimore për nxënësit e klasave të para me mësim në gjuhën shqipe, pasi vendimi për abetaren që tashmë përdoret në Shqipëri dhe Kosovë, ka marrë miratimin e institucioneve përkatëse, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe Entit Pedagogjik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button