Qëllimi i misionit humanitar të Borçe Stamenovit është që çdo person në vend të bëhet me kompjuter

Çdo person në Maqedoni të ketë kompjuter, është ky qëllimi i fisëm i Borçe Stamenovit nga Kavadari, i cili tek njerëzit është më i njohur për nismën e tij “Dhuro kompjuter”. Tashmë gjashtë vjet ky i ri po punon pa u lodhur për t’i riparuar pajisjet elektronike të përdorura dhe ua dhuron ato atyre që kanë shumë nevojë, por që nuk kanë mundësi t’i blejnë. Ai tashmë ka dhuruar 2200 kompjuterë në mbarë vendin, ndërsa ka pajisur edhe kabinete në rreth 20 shkolla, shkruan Meta.mk.

Stamenov thotë se ideja për “Dhuro kompjuter” ka lindur në vitin 2016 si një përgjigje logjike e pyetjes se çfarë duhet bërë me kompjuterët e vjetër të klientëve të kompanisë ku ai punon, të cilët kanë blerë kompjuterë të ri, ndërsa njëkohësisht t’i ndihmojë bashkëqytetarët të cilët nuk kanë mjete financiare për të blerë kompjuter të ri. Kompjuterin e parë e ka marrë një nënë vetëushqyese nga Kavadari e cila ka kërkuar ndihmë nga ata, ndërsa 20 kompjuterët e tjerë kanë përfunduar tek familjet për të cilat kanë dëgjuar se kanë nevojë për to.

“Deri më tani në mbarë vendin janë dhuruar rreth 2225 kompjuterë. Ne pajisim edhe persona fizikë, por kohëve të fundit filluam të pajisim edhe kabinete të informatikës nëpër shkollat në gjithë Maqedoninë. Deri më tani pajisje nga ne kanë pranuar 20 shkolla,  ndërsa kemi në plan të pajisim edhe tre të tjera që na kanë kontaktuar”, thotë Stamenov.

Stamenov thotë që që nga fillimi i kësaj nisme e deri më tani numri i donacioneve dhe vëllimi i punës është rritur shumë. Tre deri më katër vite më parë për një vit dhuroheshin 100 kompjuterë, ndërsa tani ky numër realizohet për një javë. Bashkë me rritjen e vëllimit të punës rritet edhe numri i vullnetarëve në mbarë vendin, ndërsa për momentin për qëllimin human të “Dhuro kompjuter” kontributin e tyre e japin rreth 50 vullnetarë, dhjetë nga të cilët janë të rregullt tashmë për shumë vite.  Borçe thotë se ndjenja se keni kontribuuar për t’ia bërë jetën më të mirë dikujt që është në pozitë të pavolitshme  në jetë është e pazëvendësueshme dhe u bën thirrje të rinjve të marrin pjesë si vullnetarë në nisma të këtilla.

“Të rinjtë duhet të ndihmojnë dhe në mënyrë aktive të inkuadrohen në nisma të këtilla. Ne nëpërmjet postimeve në mediat sociale i inkurajojmë dhe i njoftojmë të gjithë ata që na ndjekin  për ndikimet pozitive që burojnë nga puna vullnetare dhe filantropizmi. Kjo punë të përmbush. Ta ndihmosh dikë që nuk e njeh, t’i japësh dëshirë për jetë është diçka që nuk përshkruhet me fjalë“, thotë Stamenov.

Ai thotë se në fillimet e “Dhuro kompjuter” nuk ka mundur as ta imagjinojë se kjo nismë do të bëhet e famshme në të gjithë vendin dhe se do dhurohen aq shumë komjuterë. Ai thotë se gjithmonë ka shpresuar që do mund të përballen me sfidat për të mbledhur, transportuar dhe dhuruar një numër të madh të komjuterëve, e ndërkohë të mos shpenzojnë para dhe për momentin po ia dalin mbanë.

Ai dhe vullnetarët të cilët vijnë kur të duan dhe kur kanë kohë, çdo çast të lirë e shfrytëzojnë në punëtorinë në Kavadar. E njëjtë është situata edhe në punëtorinë në Shkup, ndërsa së shpejti do hapet edhe një e tretë në bashkëpunim me Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip.

“Për ne është me rëndësi ta ndihmojmë procesin e arsimit, ashtu siç dimë ta bëjmë më së miri, edhe pse këtë gjë duhet ta bëjë shteti. Për fat të keq arsimi dhe edukimi dixhital tek ne është në nivel shumë të ulët dhe kjo është mënyra jonë për të kontribuar edhe për qytetarët edhe për shtetin. Njëkohësisht punojmë edhe në atë që sasinë e mbeturinave elektronike ta sjellim në minimum. Çdo gjë që vjen kontrollohet më shumë herë, për t’i dhënë një shans të ri për jetë. Ato pajisje që nuk mund të riparohen ose që nuk mund të përdoren ia dorëzojmë kompanisë e cila merret me dispozimin profesional të atij lloji të mbeturinave dhe në këtë mënyrë e mbrojmë edhe mjedisin jetësor“, thotë Borçe dhe shton se ai dhe vullnetarët nuk do të ndalojnë me punë deri sa çdo qytetar nuk bëhet me kompjuter, e pastaj duan që këtë ide ta përhapin edhe në Ballkan.

Ndërmarrjet dhe individët të cilët kanë pajisje të vjetra tashmë e kanë pranuar këtë nismë dhe vetë ata na kontaktojnë që të na i dhurojnë komjuterët, transportin dhe dorëzimin e siguron një kompani për transport, ndërkohë që vazhdimisht kyçen edhe shumë të tjerë që në ndonjë farë mënyre duan të ndihmojnë. Borçe thotë se ka tre mënyra për dozëzimin e donacioneve, të dërgohen me kargo ose të sillen personalisht në punëtorinë në Kavadar, duke e ndjekur hartën e cila gjendet në uebfaqen donirajkompjuter.mk ose të dorëzohen në sallonet e “Neptun”, i cili është bashkëpunëtor i kësaj nisme.

Borçe thotë se ngadalë por sigurt po lëvizin drejt qëllimit të synuar, që çdo person të ketë kompjuter. Për momentin kjo është realizuar në Makedonski Brod, ku secilit që ka pasur nevojë i është dhuruar kompjuter, përfshirë këtu edhe shkollat. Kushdo që aplikon për të marrë një donacion duhet të dorëzojë një vërtetim se është nga një familje e pasiguruar materialisht, se është i/e papunë, me të ardhura të ulëta ose prind vetëushqyes. Ata bashkëpunojnë me institucionet sociale, por edhe me organizatat civile që kanë lista të anëtarëve apo personave të mbrojtur të tyre.

Pak kohë më parë, bashkë me UNHCR filloi edhe një nismë tjetër humanitare nëpërmjet të cilës rreth njëzetë studentë, një pjesë e të cilëve janë emigrantë, një pjesë azilkërkues, ndërsa një pjesë janë persona pa shtetësi, në dy muajt e ardhshëm nga mentorë me përvojë të “Dhuro kompjuter” do mësojnë se si t’i riparojnë dhe t’i ndërtojnë kompjuterët dhe në këtë mënyrë do fitojnë shkathtësi të cilat më vonë do ju ndihmojnë të gjejnë punë, do ndihmojnë në zvogëlimin e mbeturinave elektronike, por edhe do rrisin solidaritetin dhe mirësinë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button