Chollet: Asociacioni i komunave me shumicë serbe – detyrim ligjor i Kosovës

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet, tha të mërkurën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ai është një detyrim ligjor, raporton VOA.

Në një takim me një grup gazetarësh të medieve vendase, pas takimeve me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, zoti Chollet tha se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova të përmbushë të gjitha përkushtimet e saj në bisedimet më Serbinë, që përfshijnë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara presin që qeveria e Kosovës të hedh në tryezë disa propozime rreth këtij asociacioni.

“Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Serbska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë që ne besojmë se e bënë këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës”, tha zoti Chollet duke nënvizuar se zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij.

Ai i cilësoi të rënda javët në prag të Krishtlindjeve në veriun e Kosovës ku për tre javë me radhë grupe serbësh mbajtën të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici serb, nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve. Rrugët u zhbllokuan më 29 dhjetor pasi ish polici u dërgua në arrest shtëpie. Ai ishte një nga qindra pjesëtarët e policisë nga radhët e komunitetit serb që braktisën vendet e punës sikurse edhe punonjësit tjerë të këtij komuniteti në veriun e Kosovës mes mospajtimeve me vendimin e qeverisë në Prishtinë për ndalimin e përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Zoti Chollet e cilësoi shqetësues boshllëkun në institucionet në veri, ndërsa nënvizoi se “duhet t’i japim fund këtij cikli të ngecjes dhe është koha të vihemi në punë. Një nga mesazhet që sollëm këtu dhe do ta transmetojmë edhe në Beograd është se duam të shpenzojmë energjinë diplomatike amerikane për të punuar për të ardhmen euro-atlantike për Kosovën. Duam të shpenzojmë më pak energji në menaxhimin e krizave. Së këndejmi mesazhi ynë këtu dhe në Beograd është se nuk duhet të ketë veprime provokuese, duhet të shtensionojmë situatën dhe të marrim situatën në duar”.

Zoti Chollet tha se “Kosova dhe Serbia duhet të përfshihen urgjentisht në bisedimet e lehtësuara dhe të drejtuara nga Bashkimi Evropian që do të çojnë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ndërsa nënvizoi se ky dialog është mënyra më e mirë për Kosovën që të sigurojë ardhmërinë e saj evropiane dhe euro-atlantike.

Zoti Chollet, po qëndron në rajon në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi dhe nxitjes së proceseve integruese. Te enjten pritet të qëndrojë në Beograd, ndërsa po shtohen përpjekjet për një marrëveshje ndërmjet palëve në dritën e një propozimi evropian, që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button