Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 11 milionë euro për subvencionimin e faturës së rrymës së qytetarëve për dhjetor

Qeveria e Kosovës ka ndarë 11 milionë e 400 mijë euro për subvencionimin e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët që kanë kursyer në muajin dhjetor, raporton REL. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se konsumi i energjisë elektrike ka qenë 4% më i ulët në muajin dhjetor ndërsa 15% në nëntor.

“Dua të falënderoj të gjitha qytetarët që kanë kursyer energjinë elektrike përgjatë këtij viti. Kemi rezultate shumë të mira. Amvisëritë kanë ulur kërkesën prej 1-14%. Në shtator konsumi është ulur për 1%, në tetor 9%, në nëntor 15% dhe në dhjetor 4%”- tha Rizvanolli.

“Sot gjithashtu ne ndamë 11 milionë e 482 mijë euro për pagesën e subvencionit të faturave për qytetarë dhe bizneset për muajin dhjetor 2022. Arsyeja që pse bizneset nuk kanë përjetuar rritje të çmimit të energjisë elektrike që nga shhkurti i vitit të kaluar dhe aryseja pse shumica e familjeve nuk janë prekur fare rritja e çmimit të energjisë elektrike është se faturat për të gjithë janë subvencionuar nga buxheti i Kosovës. Shuma e ndarë për periudhën shkurt – dhjetor 2022 është 76 milionë e 800 mijë euro ku secili qytetar mund të shoh se sa është subvencionuar në web-faqen e KEDS-it”- theksoi Ministrja e Ekonomisë.

Rizvanolli tha se mesatarja e subvencionit për amvisëri është 112 euro për periudhën e subvencionimit të faturës ndërsa për biznese dhe institucione publike 336 euro.

Ndërsa nga ky subvencionim kanë përfituar 476 mijë familje ndërsa për biznese dhe institucione publike janë shpenzuar 23 milionë e 722 mijë euro.

Ministrja e Ekonomisë tha se situata me energji elektrike pritet të përkeqësohet në javët në vazhdim pasi çmimet në tregjet evropiane të rrymës do të rriten.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte njoftuar se nga shtatori nëse një familje ka shpenzuar 1,000 kilovatë në shtatorin e vitit të kaluar ndërsa në shtatorin e këtij viti ka harxhuar 900 kilovatë, ajo do të subvencionohet për dyfishin e kursimit, do të thotë 20% (pasi që 10% është kursimi në mes dy muajve, ndërsa dyfishi i kursimit është 20%).

Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka paralajmëruar një dimër të vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike këtë vit, duke bërë vazhdimisht thirrje për kursim të energjisë elektrike, duke subvencionuar qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike se vitin e kaluar e të tjerë për blerjen e pajisjeve për ngrohje. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në njërin nga deklarimet kishte thënë se një megavat i energjisë elektrike në sezonin e dimrit mund të shkojë deri në 1,000 euro.

Për shkak të krizës energjetike në Kosovë në gusht të vitit 2022, Kosova është përballur me reduktime të energjisë elektrike. Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, kishte njoftuar se nuk kanë mundësi financiare që të blejnë energji elektrike andaj do të furnizohen vetëm nga prodhimi vendor.

Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mosprodhimit të sasisë së duhur të energjisë nga KEK.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button