Presidenti i federatës franceze u detyrua të japë dorëheqjen pas skandaleve

Presidenti i Federatës së Futbollit të Francës (FFF), Noel Le Graet është detyruar të tërhiqet nga posti i tij vetëm disa javë pas humbjes së Francës në finalen e Kupës së Botës “Katari 2022”, pas një sërë polemikash, tha organi të mërkurën. Vendimi për dorëheqjen e tij, u mor pas një takimi urgjent të zyrtarëve të federatës franceze në Paris, raporton Koha.net.

“Noel Le Graet, në marrëveshje me komitetin ekzekutiv të FFF-së, të mbledhur të mërkurën në Paris, ka zgjedhur të tërhiqet nga roli i tij si president deri në përfundimin e auditimit që po bëhet nga Ministria e sportit”, thuhej në njoftimin e federatës.

Le Graet, mandati i të cilit do të zgjaste deri në vitin 2024, ishte përballur me thirrje për të dhënë dorëheqjen pas asaj që ai pranoi se ishin “komente të ngathëta” në lidhje me interesimin e mundshëm të Zinedine Zidanet për të drejtuar Përfaqësuesen e Francës. 81-vjeçari, i cili ka qenë president i FFF-së që nga viti 2011, kishte thënë në një intervistë në radiostacionin “RMC” të dielën se ai “as nuk do ta kishte pranuar thirrjen e tij” kur u pyet nëse Zidane, një fitues i Kupës së Botës dhe një lojtar i madh i Francës, i kishte telefonuar për të shprehur interesimin e tij për të marrë drejtimin e Francës nga Deschampsi. Deschamps, i cili udhëhoqi Francën drejt lavdisë në Kupën e Botës “Rusia 2018” dhe mbikëqyri ecurinë e tyre në finalen e muajit të kaluar, të cilën e humbën me penallti ndaj Argjentinës, fundjavën e kaluar nënshkroi kontratë të re për të qëndruar si trajner i Francës deri në vitin 2026.

Pas komenteve për Zidanen, Le Graet u kritikua ashpër nga sulmuesi i Francës, Kylian Mbappe dhe Real Madridi, në të cilin Zidane ishte lojtar dhe trajner. Stuhia rreth Zidanet pasoi një sërë akuzash për keqtrajtim nga punonjëset në federatë, gjë që bëri që qeveria franceze të niste një auditim të federatës dhe Le Graet të thirrej për të marrë pjesë në një seancë. Le Graet i mohoi këto akuza, por të martën sjellja e tij u vu përsëri në qendër të vëmendjes me një agjente futbolli që bëri akuza të mëtejshme për kërkesa të padëshiruara seksuale nga administratori veteran në një intervistë për të përditshmen sportive “L’Equipe”. Ministrja e Sportit të Francës, Amelie Oudea-Castera, e kishte bërë të qartë se ajo donte që të ndërmerren veprime kundër Le Graetit kur ajo i bëri thirrje komitetit ekzekutiv të federatës franceze të “merrte përgjegjësi” kur foli para gazetarëve të hënën. Me anëtarët e komitetit të FFF-së, që menduan se pozicioni i Le Graetit ishte bërë i paqëndrueshëm, ai u zëvendësua në një bazë të përkohshme nga Philippe Diallo, nënkryetar i organizatës. Për më tepër, edhe drejtoresha e përgjithshme e FFF-së, Florence Hardouin, është pezulluar nga detyra e saj. Le Graet është një ish-kryetar socialist i qytetit të vogël të Guingampit, i cili më vonë mbikëqyri ngritjen e ekipit lokal të futbollit që u bë një forcë në Francë gjatë kohës së tij si president klubi. Ai është administratori i dytë sportiv francez i profilit të lartë që detyrohet të japë dorëheqjen në javët e fundit. Presidenti i Federatës së Ragbit të Francës, Bernard Laporte ofroi dorëheqjen muajin e shkuar pasi ndaj tij është shqiptuar dënim me burgim me kusht për dy vjet për shkak të akuzave për korrupsion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button