NYT: Maqedonia e Veriut ndër më të rrezikuarat nga keqinformimi, të ndiqet shembulli i Finlandës

Finlanda u rendit e para nga 41 vendet evropiane për qëndrueshmërinë ndaj keqinformatave për të pestën herë radhazi në një sondazh të botuar në tetor nga Instituti i Shoqërisë së Hapur në Sofje, Bullgari. Zyrtarët thonë se suksesi i Finlandës nuk është vetëm rezultat i sistemit të saj të fortë arsimor, i cili është një nga më të mirët në botë, por edhe për shkak të një përpjekjeje të përbashkët për të mësuar nxënësit për lajmet e rreme. Shkrim-leximi mediatik është pjesë e kurrikulës kombëtare që fillon në nivelin parashkollor, transmeton Portalb.mk nga The New York Times.

Pas Finlandës, vendet evropiane që u renditën më lart për qëndrueshmërinë ndaj keqinformatave në sondazhin e Institutit të Shoqërisë së Hapur ishin Norvegjia, Danimarka, Estonia, Irlanda dhe Suedia.

Vendet që ishin më të rrezikuara nga keqinformimi ishin Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria. Rezultatet e anketës janë llogaritur në bazë të pikëve për lirinë e shtypit, nivelin e besimit në shoqëri dhe pikët në lexim, shkencë dhe matematikë.

Vendi nordik po teston mënyra të reja për t’i mësuar nxënësit rreth propagandës. Ja çfarë mund të mësojnë vendet e tjera nga suksesi i tij.

Finlanda ka avantazhe në luftën kundër keqinformatave. Sistemi i saj shkollor publik është ndër më të mirët në botë. Universiteti është falas. Ka besim të lartë te qeveria dhe Finlanda ishte një nga vendet evropiane më pak të prekura nga pandemia. Mësuesit janë shumë të respektuar.

Për më tepër, gjuha finlandeze flitet nga rreth 5.4 milionë njerëz. Artikujt që përmbajnë gënjeshtra që janë shkruar nga folës të huaj ndonjëherë mund të identifikohen lehtësisht për shkak të gabimeve gramatikore ose sintaksore.

Ndërsa mësuesve në Finlandë u kërkohet të mësojnë shkrim-leximin mediatik, ata kanë diskrecion të konsiderueshëm mbi mënyrën se si të kryejnë mësimet. Qëllimi mësuesve në Finlandë, është të ndihmojë studentët të mësojnë të identifikojnë informacionin e rremë.

Një mësuese në Helsinki, tha se ajo dhe studentët e saj kërkuan fjalë si “vaksinim” dhe diskutuan se si funksionuan algoritmet e kërkimit dhe pse rezultatet e para mund të mos jenë gjithmonë më të besueshmet.

Mësues të tjerë thanë gjithashtu se muajt e fundit, gjatë luftës në Ukrainë, ata kishin përdorur faqet ruse të lajmeve dhe memet si bazë për një diskutim rreth efekteve të propagandës së sponsorizuar nga shteti.

Finlanda, e cila ndan një kufi prej 833 miljesh me Rusinë, zhvilloi qëllimet e saj kombëtare për edukimin mediatik në vitin 2013 dhe përshpejtoi fushatën e saj për të mësuar studentët të dallojnë keqinformatat në vitet në vijim.

Edhe pse adoleshentët e sotëm janë rritur me mediat sociale, kjo nuk do të thotë se ata dinë të identifikojnë dhe të ruhen nga videot e manipuluara të politikanëve ose artikujt e lajmeve në TikTok. Në fakt, një studim i botuar vitin e kaluar në British Journal of Developmental Psychology zbuloi se adoleshenca mund të jetë një kohë kulmore për teoritë e konspiracionit. Një faktor kontribues mund të jetë media sociale, me ndikimin e saj mbi bindjet e të rinjve për botën, shkruajnë autorët e studimit.

Megjithatë, qeveria finlandeze thotë se studentët janë ndër grupet më të lehtë për t’u arritur. Tani që programet janë vendosur për të rinjtë, qeveria po përdor bibliotekat si qendra për të mësuar të moshuarit të identifikojnë informacionin në internet që synon të mashtrojë.

Për mësuesit e çdo grupmoshe, nxjerrja e mësimeve efektive mund të jetë sfiduese. Ajo fillon me bazat – duke u mësuar studentëve për ndryshimin midis asaj që shohin në Instagram dhe TikTok kundrejt asaj që lexojnë në gazetat finlandeze.

Një mësuese tjetër, ka vënë re një rënie të qartë në aftësitë e të lexuarit të të kuptuarit, një prirje që ajo ia atribuon studentëve që kalojnë më pak kohë me libra dhe më shumë kohë me lojëra dhe shikimin e videove. Me aftësi më të dobëta leximi dhe hapësirë më të shkurtër të vëmendjes, studentët janë më të prekshëm ndaj besimit të lajmeve të rreme ose mungesës së njohurive të mjaftueshme rreth temave për të identifikuar informacione mashtruese ose të gabuara.

Qëllimi i mësuesve atje është t’u mësojnë nxënësve metoda që ata mund të përdornin për të dalluar të vërtetën dhe trillimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button