TIRANI TURME 

Një shoqëri është e robëruar nga brenda kur i nënshtrohet tiranisë së neveritshme të turmës dhe kur orientohet sipas vullnetit të saj. Një shoqëri shkon drejt honit kur vepron nën diktatin e kodeve anakronike të provincës. Një shoqëri bëhet e padurueshme kur mbërthehet nga frika e linçimit.

Mjerisht, turma, kjo masë amorfe, që udhëhiqet nga forcat destruktive, e dikton jetën tonë.

Mediumet e reja janë bërë armë shantazhi në duart e turmës dhe të qenieve asociale. Sapo e shpreh një mendim të hidhur e të papranueshëm për turmën gozhdohesh në kryq linçimi.

Pjesë e turmës ose në shërbim të saj mund të jenë edhe njerëzit publikë, nëse nuk rrezikojnë të ecin kundër rrymës.

Njeriu që mendon me kokën e vet nuk i detyrohet turmës për asgjë. Njeriu duhet ta thotë mendimin e tij edhe kur nuk na pëlqen. Shoqëria e lirë nuk është linçuese. Shoqëria e lirë krijohet nëpërmjet shumëllojshmërisë së mendimeve, ideve, projekteve, bindjeve dhe jo nëpërmjet marrëzisë së popullarizuar. Volteri tha: “Nuk pajtohem me mendimin tënd, por do ta jepja jetën ta shprehësh atë mendim”. 

Janë të neveritshëm mashtruesit dhe popullistët që e miklojnë turmën, sepse e duan adhurimin e saj. Kush i thotë vetes personalitet duhet të jetë me të vërtetën edhe kur ajo është e hidhur për turmën. Gjordano Bruno shkoi kundër rrymës dhe e dogjën, por ai e mbrojti të vërtetën. Të tjerët, ndonëse e dinin të vërtetën, s’guxuan t’i kundërviheshin autoritetit. Shumë disidentë shkuan në drejtim të kundërt me turmën, por sot janë faqebardhë përpara historisë.

Është guxim të jesh me pakicën, me të margjinalizuarit, me ata që guxojnë ta thonë atë që s’e pëlqen turma. Ata janë guximtarët e vërtetë, sepse dalin me emër e mbiemër para opinionit publik dhe e mbajnë mbi supe peshën e rëndë të përgjegjësisë personale. Janë krejt të ndryshëm nga ata që fshihen në turmë dhe kënaqen kur të tjerët përjetojnë dhimbjet e Prometheut të mbërthyer në shkëmb.

Mjerisht, për çështje interesash meskine, shumica e mediumeve prodhojnë përmbajtje vetëm për turmën. Janë bërë kanalizime ku derdhet llumi i qenieve asociale. Sa më shumë turmë, aq më shumë shikueshmëri. Prandaj kemi vanitet, marrëzi, kiç, cektësi, banalitet, klishe, slogane, refrene, parulla, modë kalimtare, snobizëm, provincializëm, narcizëm, sadizëm, spektakle marrëzie, mbiçmim keqzanie, velina të pasuruara me para që kundërmojnë erë krimi, ekspozim budallallëku nëpër ekrane oligarkësh. Mjerisht, këta janë modelet e kohës sonë.

Refuzoj të bëhem pjesë e këtij trendi, mode, marrëzie, cektësie. Nuk i përkas kësaj bote dhe as nuk më përket. Nuk i detyrohem për asgjë kësaj bote që më trishton dhe më ngjall neveri.

Në këtë kohë, mjerisht, mund t’i numërosh me gishta gazetarët që kanë kulturë dhe i promovojnë vlerat e krijuara në shoqërinë tonë. Ata meritojnë respekt dhe i duhen aq shumë shoqërisë sonë të mbërthyer nga banaliteti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button