Përfundoi takimi i krerëve të partive shqiptare në RMV me Ramën, fokusi te ndryshimet kushtetuese

Ka përfunduar takimi i sotëm në Tiranë midis krerëve të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, njofton Portalb.

Sipas deklaratave të kreetarëve të partive politike, në fokus të takimit, kanë qenë sfidat që i presin të dy vendet në rrugëtimin drejt BE-së dhe ndryshimet kushtetuese në vend.

Ahmeti pas takimit deklaroi se ai është realizuar në frymë pozitive dhe vëllazërore. Sipas tij, e ardhmja e dy vendeve është në BE dhe sfidat që i presin në këtë periudhë janë të përbashkëta.  Kjo fazë, sipas Ahmetit, është shumë e vështirë.

Kryetari i BDI-së vuri theksin edhe tek largimi i rinisë nga vendi, por edhe nga Shqipëria drejt vendeve të Evropës. Për këtë, ai theksoi se duhet të përafrohen standardet e të dyja vendeve me ato të vendeve të BE-së.

Ndryshimet kushtetuese, sipas Ahmetit, nuk e dëmtojnë identitetin maqedonas, përkundrazi e forcojnë atë.

Ndërsa, kreu i ASH-së, Arben Taravari deklaroi se takimi ka qenë më shumë si darkë relaksuese për fillimin e vitit. Ai theksoi se në takim është diskutuar për sfidat që i presin dy vendet në rrugëtimin drejt BE-së.

Sipas Taravarit, nuk ka asnjë parti shqiptare që është kundër integrimit të vendit në BE dhe me këtë edhe “pro” ndryshimeve kushtetuese.

Kreu i ASH-së në fund tha se nëse një takim të tillë do të ftonte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kënaqësi do të merrte pjesë në të.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi deklaroi se nuk kanë folur për diçka konkrete, përpos së ardhmes së përbashkët të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

“Takim vëllazëror, i uruam Vitin e Ri njëri-tjetrit dhe gjithë shqiptarëve. Biseduam për të ardhmen tonë të përbashkët për rrugën në Bashkimin Evropian, jo diçka më shumë konkrete”, theksoi Thaçi.

Lidhur me mospjesëmarrjen në takimin e sotëm të Kasamit, Ahmeti potencoi se Lëvizja Besa nuk ka bërë mirë që nuk ka marrë pjesë në takim, duke e cilësuar këtë veprim të Besës si “papjekuri politike”. Ndërsa, Taravari nuk deshi të komentojë mospjesëmarrjen e Lëvizjes Besa në këtë takim.

Në takimin e sotëm në Tiranë morën pjesë liderët e BDI-së – Ali Ahmeti, i Aleancës për Shqiptarët – Arben Taravari, i , i Alternativës – Afrim Gashi dhe i PDSH-së – Menduh Thaçi. Kryetari i Lëvizjes Besa – Bilall Kasami edhe pse ishte i ftuar, nuk mori pjesë në takimin e sotëm me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Më 7 janar t vitit 2017-të, derisa vendi ishte në krizë të thellë politike, partitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut në një takim në Kryeministrinë e Shqipërisë, nënshkruan një dokument të quajtur “Deklaratë e Përbashkët e Partive Politike Shqiptare në Republikën e Maqedonisë”, i cili kishte për qëllim mbrojtjen e interesave të popullatës shqiptare në vend dhe avancimin e të drejtave, paralelisht me angazhimin për përforcim të rrugës euroatlantike të vendit.

Vetëm një vjet pas nënshkrimit të kësaj deklarate, e cila mes tjerash parashikonte dhe takime të përbashkëta të partive shqiptare, liderët politik filluan të grinden mes vete dhe të mos shkojnë te njëri-tjetri në takimet e ftuara.

Sot, 5 vjet pas nënshkrimit asnjëra prej partive shqiptare në vend nuk e përmend Deklaratën dhe nuk thirret në zotimet e saj. Pavarësisht se disa prej pikave të këtij dokumenti janë realizuar, askush nuk mban evidencë apo llogari për atë që nuk është realizuar.

Nënshkrimi i Deklaratës, shkaktoi revoltë te pushteti i RMV-së, në krye me VMRO-DPMNE-në, e cila udhëhiqej nga Nikolla Gruevski. Presidenti i Gjorge Ivanov, doli me konferencë për shtyp dhe kërkoi që SHBA, NATO dhe Turqia ta heqin poshtë këtë Deklaratë pasi që është përgatitur në shtet të huaj. Për këtë, ai refuzoi t’ia jep mandatin kryetarit të atëhershëm të LSDM-së, Zoran Zaev. Në ndërkohë, tensionet politike u përcollën edhe nëpër rrugë ku simpatizantë të VMRO-së protestuan kundër siç e quanin ata “Platforma Shqiptare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button