Spitali Modular i djegur është shndërruar në deponi, pastrimi zgjat me muaj

Nuk ka mbaruar ende pastrimi i mbetjeve nga Spitali i djegur modular në Tetovë. Pastrimi nga mbetjet filloi para më tepër se një muaj edhe pse është dashur që të fillojë menjëherë pas mbarimit të procedurave për marrjen e provave nga terreni. Nga Spitali i Tetovës arsyetohen për Portalb.mk se 80 përqind e punëve për pastrimin e këtij lokacioni kanë përfunduar, por, pamjet nga tereni i ngjajnë një deponie të egër.

Mbeturina të shumta dhe dy automjete pune të palëvizshme, janë pamjet nga vendi ku tani më objekti i spitalit është shkatërruar dhe mbetjet gjenden të shpërndara gjithandej.

Ndonëse pastrimi nga mbetjet filloi me 3 dhjetor 2022, pamjet nga aty tregojnë se ka shumë mbetje të cilat nuk janë larguar, edhe pse drejtori i Spitalit të Tetovës, Amir Elezi për Portalb.mk tha se 80 përqind e punëve të pastrimit kanë përfunduar.

“80 përqind e punëve në pastrimin e tërheqjes së spitalit modular kanë përfunduar. Ka ngelur vetëm pastrimi final, që deri brenda fundit të javës shpresojmë se do të kryhet. Zgjatja e pastrimit ka ardhur si pasojë e bllokimit të rrugës nga veturat e parkuara si rezultat i së cilës është penguar edhe makineria e rëndë të punoj çdo ditë. Prandaj punët janë zhvendosur vetëm në ditët e vikendit”, tha Elezi.

Në këtë lokacion më herët nga Spitali i Tetovës kanë paralajmëruar se do të ndërtohet pllakë përkujtimore për viktimat.

This slideshow requires JavaScript.

Kujtojmë që zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Për këtë rast ka filluar edhe gjykimi, deri tani janë mbajtur pesë seanca ndërsa e radhës është të martën (16 janar). Ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik janë të akuzuarit për këtë rast. Për rastin në fjalë janë kryer katër ekspertiza.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button