RMV, vitin e kaluar u konfiskua 2.4 ton drogë dhe u shkatërruan 12 grupe kriminale

Në vitin 2022 janë konfiskuar mbi 2,4 ton drogë, pjesa më e madhe e të cilës ishte marihuanë, heroinë, kokainë, amfetaminë, hashash, ka njoftuar në profilin e tij në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, duke vlerësuar se viti i kaluar ka qenë i suksesshëm në luftë kundër trafikut të paligjshëm të drogës, transmeton Portalb.mk.

Sipas Spasovskit, droga e konfiskuar në tregun e zi do të kapte vlerën e gjashtë milionë eurove.

“Janë shtypur 12 grupe të organizuara kriminale të përbëra nga 51 anëtarë. U zbuluan mbi 700 vepra penale, për të cilat u raportuan mbi 800 autorë. Janë konfiskuar edhe 20 tonë prekursorë të ndryshëm, me qëllim të prodhimit të mëtutjeshëm të drogave sintetike”, informon Spasovski.

Sipas tij, vlen të përmendet sekuestrimi i një ton prekursorë në aeroportin e Shkupit, nga i cili mund të prodhohej amfetaminë në vlerë mbi 50 milionë euro.

“Në fushën e tregtisë ilegale të drogës, në vitin 2022 kemi pasur shkatërrimin më të madh të drogës së konfiskuar deri më tani, janë asgjësuar gjithsej 10 tonë drogë”, shton Spasovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button