SHBA: Kongresi i ri përballet me çështje të mprehta

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuar, Kevin McCarthy ka bërë më në fund betimin dhe ligjvënësit republikanë mund të fillojnë tani të punojnë me axhendën e tyre. Republikanët synojnë të vendosin “kontrolle dhe balanca” ndaj administratës së presidentit demokrat Joe Biden, shkruan Zëri i Amerikës.

U deshën katër ditë votime të njëpasnjëshme nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve por më në fund Kevin McCarthy u bë kryetar i saj. Premtimi i tij ndaj kolegëve republikanë dhe popullit amerikan: të mbajë nën kontroll administratën e Biden.

“Ne do t’i mbajmë përgjegjës për çështje që nga tërheqja nga Afganistani, tek origjina e COVID dhe keqpërdorimi i FBI-së”, tha ai.

McCarthy arriti të zgjidhej në post, pasi i bëri një sërë lëshimesh grupit kundërshtar brenda partisë, gjë që do të ndikojë tek kompetencat e tij. Tani edhe një anëtar i vetëm i Dhomës mund të kërkojë votim për ta rrëzuar atë nga posti. Në një intervistë në televizionin ABC, ligjvënësi republikan Andy Barr e minimizoi rëndësinë e këtij ndryshimi.

“Ne thjesht po i rikthehemi një rregulli të kohës para Pelosit, që kishte qenë në fuqi që nga viti 1910. Nuk mendoj aspak se kjo do të krijojë kaos”, tha ai.

Edhe nëse mbizotëron uniteti, kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve do t’i duhet të gjejë mënyra për të negociuar me administratën e Biden për çështje të mprehta si emigracioni dhe shkurtimet e shpenzimeve, të cilat sipas ligjvënësit republikan Scott Perry janë të nevojshme.

“Duhet të sigurohemi që të arrijmë marrëveshje për një buxhet që jo thjesht rrit vazhdimisht shpenzimet, por edhe ta ndajmë siç duhet”, tha ai.

Presidenti Joe Biden e uroi McCarthy me anë të një deklarate ku shprehej se është “i gatshëm të punojë me republikanët kur është e mundur”. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve nga ana e tyre synojnë të hetojnë administratën e presidentit dhe marrëdhëniet e biznesit të familjarëve të tij.

Udhëheqësi i pakicës demokrate, Hakeem Jeffries tha se shpreson të jetë në gjendje të gjejë gjuhën e përbashkët me kryetarin e ri për të mirën e popullit amerikan.

“Do të punoj për të konsoliduar arritjet e jashtëzakonshme të programit të presidentit Biden dhe nëse Kevin McCarthy është i gatshëm të gjejë gjuhën e përbashkët në këtë drejtim, ata do të gjejnë partnerë të gatshëm mes demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve.”

Në rrugët e Uashingtonit, amerikanët ndanë me Zërin e Amerikës mendimet e tyre për kongresin e ri.

“Si demokrat nuk jam entuziast për udhëheqjen e re të Dhomës, por shpresoj që të gjejnë një mënyrë për të zgjidhur disa nga problemet me të cilat po përballet vendi”, thotë Jason Arvanites, një demokrat.

“Unë nuk shoh një ndryshim të madh në politikën e jashtme, megjithëse mendoj se republikanët do të punojnë për të frenuar imigracionin e paligjshëm”, thotë republikani Steve Tyson.

Këto janë tema të ndjeshme që mund të sjellin në negociata të vështira pasi republikanët kanë një epërsi të lehtë prej vetëm 10 vendesh ndaj demokratëve në sesionin e ri të Kongresit të 118-të.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button