“Noma” e tetovarit i vlerësuar si restoranti më i mirë në botë, do mbyllë dyert për shërbim të rregullt

“Noma”, restoranti i shqiptarit nga Tetova, Rene Rexhepi, do të mbyllë dyert për shërbim të rregullt në fund të vitit 2024, transmeton Portalb.mk.

“Noma” është zgjedhur restoranti më i mirë në botë për vitin 2021. Restoranti që ndodhet në Kopenhagë të Danimarkës u vlerësua me çmimin e parë në mesin e 50 restoranteve më të mira në botë.

Noma kishte qenë në majë të klasifikimeve edhe më herët në vitet 2014, 2012, 2011 dhe 2010.

Vendimi vjen pasi “Noma” dhe shumë restorante të tjera elitare po përballen me shqyrtimin e trajtimit të punëtorëve, shumë prej tyre të paguar keq ose aspak, të cilët prodhojnë dhe shërbejnë këto pjata të shkëlqyera.

Stili i ngrënies së mirë që “Noma” ndihmoi në krijimin dhe promovimin në mbarë globin – jashtëzakonisht inovativ dhe shumë i shtrenjtë – mund të jetë duke kaluar një krizë qëndrueshmërie.

Rexhepi, i cili prej kohësh e ka pranuar se për të prodhuar kuzhinën e restorantit kërkohen orë rraskapitëse, tha se llogaritja e kompensimit të drejtë të afro 100 punonjësve, duke ruajtur standarde të larta, me çmime që do të përballojë tregu, nuk është e zbatueshme.

“Ne duhet të rimendojmë plotësisht industrinë”, tha ai. “Kjo është thjesht shumë e vështirë dhe ne duhet të punojmë në një mënyrë tjetër”.

Në vitin 2025- kapitull i ri

Nga restoranti njoftuan se në këtë fazë tjetër, ata do të vazhdojnë të udhëtojnë dhe të kërkojnë mënyra të reja për të ndarë punën e tyre.

“A ka ndonjë vend ku duhet të shkojmë në botë për të mësuar? Pastaj do të bëjmë një Noma pop-up. Dhe kur të kemi mbledhur mjaft ide dhe shije të reja, do të bëjmë një sezon në Kopenhagë. Shërbimi ndaj mysafirëve do të jetë ende pjesë e asaj që jemi, por të qenit restorant nuk do të na përcaktojë më. Në vend të kësaj, shumë nga koha jonë do të shpenzohet për të eksploruar projekte të reja dhe për të zhvilluar shumë më tepër ide dhe produkte. Qëllimi ynë është të krijojmë një organizatë të qëndrueshme kushtuar punës novatore në ushqim, por edhe të ripërcaktojmë themelet për një ekip restoranti, një vend ku mund të mësosh, të rrezikosh dhe të rritesh! Ne kemi shpenzuar dy vitet e fundit duke planifikuar dhe jemi gati për shumë vitet e ardhshme të realizimit të qëllimit tonë”, thuhet në njoftimin e restorantit.

Përndryshe, “Noma” u hap para dy dekadave, në vitin 2003.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button