ANALIZË: Rritja ekonomike do të ngadalësohet, këtë vit RMV duhet të kthejë borxh prej 845 milionë eurosh! (Infografik)

Ngadalësim i rritjes ekonomike, inflacion më i ulët krahasuar me vitin e kaluar, por më i lartë në krahasim me parashikimet fillestare për këtë vit, bilanc buxhetor me një “vrimë” më të thellë. Këto janë një pjesë e projeksioneve të reja në Strategjinë e rishikuar për periudhën 2023-2025 (me perspektiva për vitin 2027), shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk

Fillimi i negociatave me BE – sinjal pozitiv për investitorët

Parashikimi për rritje ekonomike prej 4,5% për këtë vit të ri ekonomik është shkrirë në 2,9%. Pothuajse në të gjitha pozicionet ekonomike ka ulje të optimizmit për këtë vit të ri kalendarik, i cili sipas Ministrisë së Financave do të jetë sërish nën ndikimin e një pasigurie të madhe.

“Shtrëngimi i marrëdhënieve ekonomike dhe politike ndërkombëtare, i shkaktuar nga lufta në Ukrainë, i ndjekur nga presione të intensifikuara dhe afatgjate inflacioniste, pritjet për reduktim të tregtisë globale dhe kërkesës së jashtme, si dhe shtrëngimi i kushteve globale të financimit, e përkeqësojnë ambientin global dhe e shtojnë më tej pasigurinë për perspektivat ekonomike”- thuhet në Strategjinë Fiskale të rishikuar.

Konkretisht, për sa i përket parashikimeve aktuale, ka një rënie jo vetëm të rritjes ekonomike, por edhe të investimeve, të cilat këtë vit duhet të rriten për 5%. Përqindja mesatare e rritjes prej 8,8% për periudhën 2023-2027 është ulur në 8,5%. Qeveria parashikon se investimet do të përshpejtohen, veçanërisht në kompanitë private, si rezultat i rritjes së besimit, një fluksi më intensiv të investimeve të huaja direkte dhe realizimit të investimeve publike të parashikuara në nivel të lartë.

“Anëtarësimi në NATO dhe fillimi i procesit të negociatave me BE-në do të ketë një ndikim pozitiv shtesë në investime”, thuhet në dokument.

Në vitin 2024, inflacioni më i ulët se 3%…

Edhe pse të gjithë shpresojnë se presioni i çmimeve do të “lehtësohet”, rreziqet mbeten. Edhe në këtë vit 2023, rritja e çmimeve do të shkrijë standardin e jetesës.

“Presioni i çmimeve do të neutralizohet pjesërisht përmes harmonizimit të mëtejshëm të rrogës minimale, pensioneve, rritjes së pritshme të rrogës mesatare, por edhe përmes masave të qeverisë për të zbutur efektet e goditjes së çmimeve, në radhë të parë në pjesën e shpenzimeve për ushqim dhe energji” – theksojnë nga Ministria e Financave.

Korrigjimi më i madh në aspekt rritës është bërë te inflacioni, kështu që nëse Strategjia fillestare parashikonte 3,5% inflacion për këtë vit, tani parashikimi është rritur në 7,1%. Në vitin 2024, sipas vlerësimeve të reja aktuale, inflacioni do të jetë 2,4%.

Për vete, shteti planifikon ta “shtrëngojë rripin e shpenzimeve” – shpenzimet publike për këtë vit janë projektuar në 0,8%.

“Kjo është në përputhje me përpjekjet për reduktimin e shpenzimeve buxhetore jo prioritare për të ofruar hapësirë shtesë për ofrimin e mbështetjes për sektorin privat, si dhe për zbatimin e një procesi të konsolidimit fiskal nëpërmjet ridizajnimit të shpenzimeve publike” – thuhet në strategjinë e rishikuar.

Për këtë vit, me parashikimet e reja, shkalla e papunësisë do të jetë 14%, që është një përqindje më e lartë se 13,3 që ishte parashikuar më parë.

Deficiti buxhetor krahasuar me vitin e kaluar do të jetë më i thellë dhe në vlerë absolute do të arrijë në 693 milionë euro, që është për 100 milionë euro më shumë se plani në Strategjinë fillestare. Sivjet është rritur edhe shuma për shlyerjen e borxheve, me ç’rast duhet të kthejmë 592 milionë euro për kreditorët e huaj dhe 253 milionë euro për ata vendas, ose gjithsej 845 milionë euro.

Strategjia e re e rishikuar e Ministrisë së Financave i përshkruan vlerësimet afatshkurtra dhe afatmesme për ekonominë maqedonase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button