Diferenca të mëdha në humbjet e ujit në komuna, kredia e BEI duhet të përdoret me mençuri (Infografik)

Në Maqedoninë e Veriut ka dallime drastike në përqindjen e ujit të pijshëm të pa faturuar në sistemet e ujësjellësit, kështu që kredia e ardhshme prej 50 milionë euro nga Banka Evropiane për Investime (EIB) duhet të përdoret me mençuri. Të dhënat e Komisionit Rregullator për Energji dhe Shërbime të Ujit (KRrE) tregojnë se humbjet e ujit të pijshëm në ndërmarrjet publike variojnë nga 14 në 92 përqind të sasisë totale të ujit të prodhuar, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të menaxhojë zbatimin e kredisë së re nga Banka Evropiane për Investime në vlerë prej 50 milionë euro, për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit në vend. Shteti do të duhet t’i shpërndajë këto fonde për komunat e përzgjedhura, të cilat do të përdoren për modernizimin dhe ndërtimin e infrastrukturës së ujësjellësit dhe ujërave të zeza, rrjetet e shpërndarjes dhe grumbullimit, si dhe masat emergjente të mbrojtjes nga përmbytjet.

Huaja e fundit është faza e dytë e projektit për përmirësimin e furnizimit me ujë dhe largimin e ujërave të zeza, pas fazës fillestare në vitin 2010, 50 milionë euro u siguruan dhe u shpërndanë komunave përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. EIB ishte edhe atëherë huadhënës i fondeve, por pyetja është se sa efikasitet u arrit në zbatimin e projektit në përfundim të fazës së parë, në fushën e reduktimit të humbjeve të ujit të pijshëm.

Të dhënat zyrtare të Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRrE) tregojnë se përqindja e ujit të pa faturuar është në rënie me kalimin e viteve, por në nivel kombëtar jemi larg përqindjes së pranueshme të humbjeve të ujit për Asociacionin Ndërkombëtar të Ujit që është nën 30 përqind.

Në vitin 2016, përqindja e ujit të pijshëm të pa  në vend ishte 67.55 përqind dhe tre vjet më vonë ajo u ul në 64.64 përqind. Në vitin 2021, kjo përqindje në nivel kombëtar u ul sërish dhe arriti në 60.46 përqind, por humbje të tilla të ujit të pijshëm janë më shumë se dyfishi i asaj që konsiderohet si përqindje e pranueshme e Asociacionit Ndërkombëtar të Ujit.

Infografik: Meta.mk

Për vitin 2021, të dhënat e KRre-së tregojnë dallime drastike në ujin e pa faturuar  në komuna, të cilat arrijnë në mes 14 dhe 92 përqind të totalit të ujit të pijshëm të prodhuar. Dhe sipas rajoneve, ka një mospërputhje të madhe në këtë përqindje. Në rajonin planor verilindor, përqindja e ujit të pa faturuar  vitin e kaluar ishte 74,2 përqind, e ndjekur menjëherë nga komunat e rajonit të Pollogut, ku 73,4 përqinde ujit të pijshëm të prodhuar llogaritet se humbet në vetë sistemet e furnizimit me ujë.

Përkundrejt kësaj, pushteti vendor nga rajoni i Pellagonisë me 48,8 përqind dhe ai Juglindor me 51,5 përqind kanë përqindjen më të ulët të ujit të pa faturuar në nivel kombëtar.

Përndryshe, uji i llogaritur i pa faturuar përfshin humbjet fizike të ujit që vijnë nga gypat e shpuar të ujit dhe dëmtimet e tjera të infrastrukturës, humbjet komerciale të ujit për shkak të konsumit të paligjshëm dhe lidhjeve të egra, pasaktësitë e ujëmatësve të instaluar, gabimet në trajtimin e të dhënave nga ndërmarrjet publike dhe konsumi i ligjshëm i pafaturuar i ujit të pijshëm.

Uji i pafaturuar përfshin ujin e pijshëm të konsumuar që përdoret për dezinfektimin dhe shpëlarjen e depozitave të ujit, shatërvanëve dhe shatërvanëve dekorativë publikë, ujitje të hapësirave publike, pemëve, gjelbërimit të bulevardeve dhe larjes së rrugëve.

Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në dy raste më 13 dhe 19 dhjetor kemi kërkuar përgjigje me shkrim në pyetjet se cilat janë qëllimet konkrete me kredinë e BEI-së që do të arrihen në drejtim të uljes së përqindjes së ujit të pijshëm pa të ardhura, por edhe nëse në shpërndarjen e ardhshme të fondeve prej 50 milionë eurosh, prioritet do të kenë komunat që kanë dëshmuar përqindjen më të lartë të humbjeve të ujit të pijshëm. Megjithatë, Meta.mk nuk ka marrë përgjigje në pyetjet.

Ajo që dihet tani për tani është se financat e vitit të ardhshëm do të jenë në dispozicion për të gjitha 80 komunat anembanë Maqedonisë së Veriut që janë të interesuara për realizimin e projekteve për rehabilitimin dhe ndërtimin e infrastrukturës së ujësjellësit dhe projektet për infrastrukturën e ujërave të zeza dhe mbrojtjen nga vërshimet.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë të ditur deri më tani se përmes kredisë është e mundur që të mbulohen komunat e vogla në vend dhe do të hapet zyra e projektit për zbatimin e projektit dhe do të zhvillohet metodologjia e aplikimit.

Me rastin e nënshkrimit të kontratës për zbatimin e projektit, Banka Evropiane e Investimeve njoftoi në fund të nëntorit të këtij viti se kredia e tyre prej 50 milionë euro duhet të kontribuojë në përmirësimin e mbulimit, cilësisë dhe rezistencës klimatike të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, duke mbrojtur njëkohësisht. shëndetin publik dhe mjedisin.

“Projekti do të sjellë përfitime për rreth 700,000 njerëz, do të ndihmojë në krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike për rreth 40 përqind të popullsisë së vendit”, informoi në atë kohë Banka Evropiane e Investimeve.

Çështja e humbjeve të ujit të pijshëm në sistemet e ujësjellësit dhe zgjidhja adekuate dhe në kohë e këtij problemi është veçanërisht e rëndësishme nga aspekti i ndryshimeve klimatike dhe problemit të reshjeve në vend. Të dhënat statistikore të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se Maqedonia e Veriut në vitet e fundit është prekur si nga rritja e temperaturave mesatare të ajrit ashtu edhe nga shpërndarja e pabarabartë e reshjeve. Gjegjësisht, të dhënat tregojnë shfaqjen e periudhave të gjata pa reshje që çojnë në thatësirë, të përcjella me ditë me shi me një sasi të madhe të sedimentit ujor që shkakton përmbytje apo dëme të tjera. E gjithë kjo ndikon në rendimentin e burimeve të ujit të pijshëm në vend.

Në të njëjtën kohë, përqindja e lartë e ujit të pijshëm të pa faturuar në komuna të caktuara paraqitet në një situatë kur qytetet si Tetova apo Negotina po përballen me probleme të furnizimit me ujë dhe kufizime të ujit të pijshëm, veçanërisht në muajt e verës. Në raste të tjera, reshjet e dendura bëjnë që uji në disa qytete të bëhet i turbullt, kështu që në momente të caktuara ndodh që uji i ujësjellësit të ndalohet për pije për ditë të tëra për banorët.

Ndryshe, humbjet e ujit të pijshëm në ujësjellësit në vend u kritikuan për herë të fundit në Raportin për progresin e reformave të vendit për vitin 2021 të përgatitur nga Komisioni Evropian (KE). Në raport, nga autoritetet e vendit u kërkua që të bëjnë përpjekje shtesë në uljen e përqindjes së ujit të pa faturuar në nivel shtetëror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button