Pse na duhen reforma dhe jo vetëm fjalë?

Ky vit duhet të jetë viti i reformave në Maqedoninë e Veriut (MV). Hapja dhe mbyllja e kapitujve të BE-së nuk duhet të jetë vetëm një procedurë teknike dhe administrative. Kjo vlen posaçërisht për autoritetet e Shkupit ku gjatë fazës së analizës së kapitujve e cila ka një impakt në kohëzgjatjen e negociatave me BE-në duhet të tregohet serioze në reformat.

Nga puna e qeverisë do të mund të parashikojmë se kur MV-ja do të bëhet anëtare e plotë e BE-së, pra nëse do të jetë viti 2030 apo pas. Edhe pse Shkupi zyrtarë thotë se është i përgatitur për të gjitha fazat, perfomancat e agjencive dhe të ministrive tregojnë se në teori MV-ja qëndron shumë mirë, por në praktikë shihen vështirësitë e mbetura gjatë drejtimit tre dekadësh të institucioneve dhe erës së komunzimit 1945-90.

Përkundër njoftimeve se ekipi qeveritarë që bisedon me BE-në është profesional dhe për nga përmbajtja përfshinë edhe individë jashtë koalicionit, përbërja tregon se po ky ekip është kryesisht partiak dhe tepër burokratik për të vazhduar negociatat me Brukselin. Ajo që duhet të bëjë qeveria dhe MPJ-ja është që puna e ekspertëve vendor e të pavarur të përfshihet në sugjerimet ndaj reformave të vërteta që duhet të bëhen në institucionet. Dhe jo të thuhet se një ligj është në frymën evropiane, ndërsa veprimet të jenë po të njëjtat si në të kaluarën.

Siç dihet praktika të këqija mbeten ende në përditshmërinë sociale dhe politike të MV-së ku qytetari i zakonshëm ndeshet me ligjet e vjetra dhe sjellet apo vendimet e padrejta që sjellin organet dhe zyrtarët. Mësimet e marra nga BE-ja duhet të kthehen në aksione dhe sjellje konkrete ku qytetari duhet më në fund ta vërejë ndryshimin. Në vendet e përziera etnike dhe fetare reformat janë më të rënda dhe asnjëherë nuk arrihet që të ndërtohet një paqe e qëndrueshme dhe natyrisht shërbime në kohë dhe të drejta për grupet e shtypura dhe të margjinalizuara.

Në qoftë se qeveria në Shkup do të mundohet të paraqesë raporte jo të vërteta për gjendjen e brendshme kjo nuk do të përmirësojë asgjë pasi të gjithë e dinë se në çfarë gjendje janë institucionet në MV. Të kota do të jenë zërat për ndryshime në qoftë se nuk dëshirojmë të bëhemi vend që duket si shtet modern dhe që funksionon mirë për të gjithë.

Shembuj ku qytetari ndjehet i vetmuar dhe i paaftë ndaj burokratëve, korrupsionit, neglizhencës dhe padrejtësive etno-fetare mund të gjenden në spitale, gjykata, universitete, dhe në sfera tjera ku shërbyesit publik të shtetit e kanë rolin qendror dhe njëkohësisht diskriminues ndaj etnive tjera. Maqedonia e Veriut dhe diplomacia e saj, pra ekipi duhet të marrë shembuj nga shtetet që kanë hyrë në proces të negociatave me BE-në dhe nuk është keq të nisë të kopjojë Kosovën kur flitet për shërbimet publike ndaj etnive tjera dhe të drejtat.

Deri në anëtarësimin e vendit në BE ka kohë që të bëhen reforma të vërteta në vend. Ndryshe të gjitha premtimet se qytetari vendos dhe qeveria është në shërbim të të gjithëve pa dallime do të mbeten vetëm në letra të bardha të institucioneve. Dhe natyrisht premtime të kota të zyrtarëve dhe fjalë të zbrazëta.

Deri më sot qytetarët janë mësuar me gënjeshtrat e politikanëve se një ditë do të bëhet mirë në MV dhe po punohet shumë që vendi të bëhet shpejt anëtar i BE-së. Të gjitha këto fjalime dhe deklarata gjatë këtij viti duhet të kthehen në vepra konkrete që qytetari mund t’i shoh dhe të mendojë se ka një qeveri e cila kujdeset për të gjithë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button