Jevtiq paralajmëron protestë pas plagosjes së dy të rinjve serbë në Shtërpcë

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, që është edhe nënkryetar i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka bërë thirrje për dalje në protestë pas plagosjes së dy të rinjve serbë në këtë komunë, transmeton REL.

Ai ka shkruar në rrjetin social Facebook se protesta do të mbahet të dielën në ora 12:00, para Shtëpisë së Kulturës në Shtërpcë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Jevtiq tha se dy të rinjtë janë jashtë rrezikut për jetë, por se sulmi ndaj tyre “është sulm ndaj secilit prej nesh”.

Më 6 janar Policia e Kosovës (PK) njoftoi se dy persona, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të kësaj komune.

Sipas njoftimit, ndaj tyre është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt.

Lidhur me rastin PK ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçare.

Ndaj incidentit në Komunën e Shtërpcës kanë reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Osmani tha se “plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm” dhe se autori duhet të vihet para drejtësisë. Ndërsa Kurti tha se është “thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre”.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj tha dje se “në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës” dhe se me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë.

Edhe komuniteti ndërkombëtar ka dënuar incidentin në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.

LEXO: I dyshuari për plagosjet në Shtërpcë, pjesëtar i FSK-së

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button