SHBA në dy vjetorin e sulmit të 6 janarit në Kapitol

Uashingtoni ka pasur historikisht një traditë ku lihen mënjanë ndasitë politike, kur përkujtohen ngjarjet traumatike për kombin. Më 11 shtator 2001, demokratët dhe republikanët qëndruan së bashku në shkallët e Kapitolit pas sulmeve terroriste. Por mosmarrëveshjet dhe polarizimi politike në vend dhe ato brenda brenda Partisë Republikane, e kanë zbehur këtë traditë, transmeton VOA.

Momenti i heshtjes në mëngjesin e së premtes në Kapitol në kujtim të sulmit të 6 janarit 2021 mblodhi kryesisht ligjvënësit demokratë. Në këtë ceremoni, udhëheqësi i ri demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries dhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi mbajtën fjalime të shkurtra. Ligjvënësit republikanë nuk bënë asnjë koment për këtë.

Ngjarja u përqëndrua tek oficerët e policisë së Kapitolit që e mbrojtën atë dhe familjet e policëve që vdiqën pas incidenteve të dhunshme të 6 janarit. Ligjvënësi Jeffries tha se 140 policë u plagosën rëndë atë ditë dhe “shumë të tjerë do të jenë përgjithmonë të prekur nga dhuna gjakatare e turmës kryengritëse. Ne qëndrojmë këtu sot në mbështetje të demokracisë sonë të paprekur për shkak të punës së atyre policëve.”

Në Shtëpinë e Bardhë, nuk pritet të jenë të pranishëm shumë republikanë në një ceremoni në të cilën presidenti Joe Biden do t’u japë medalje presidenciale një grupi zyrtarësh shtetërorë dhe lokalë, punonjësve të zgjedhjeve dhe oficerëve të policisë për “veprat e tyre shembullore në shërbim të vendit dhe bashkëqytetarëve të tyre” në mbrojtjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 dhe në përpjekje të ndaljes së turmës që sulmoi Kapitolin.

Ky moment binte në kontrast me 11 shtatorin 2001, kur ligjvënësit që ishin evakuuar me nxitim nga Kapitoli gjatë sulmit terrorist u mblodhën atje më vonë gjatë ditës në një moment heshtjeje dhe filluan të këndonin “Zoti e bekoftë Amerikën”, republikanë e demokratë të bashkuar.

“Ata qëndruan të tronditur dhe të përlotur në shkallët e Kapitolit, dashuria e tyre për vendin dhe gjithçka që ai simbolizon për botën”, raportoi një gazetë australiane në një artikull që tani është bërë pjesë e historisë zyrtare të Dhomës së Përfaqësuesve.

Sot, bota sheh një pamje të ndryshme, atë të pështjellimit në demokracinë amerikane që vjen nga brenda institucionit që kryengritësit e sulmuan dy vjet më parë.

Dega legjislative e vendit është përsëri në ngërç, këtë radhë jo nga dhuna, por nga një betejë e ashpër mes republikanëve për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve.

Zgjidhja për këtë krizë mund të jetë afër ndërsa udhëheqësit republikanë po vazhdojnë negociatat për të plotësuar kërkesat e krahut të saj të djathtë, por kjo ka ngritur shqetësime rreth aftësisë së Dhomës së Përfaqësuesve për të miratuar legjislacione më thelbësore, si buxhetin dhe përmbushjen e detyrimeve që dalin nga borxhet e vendit.

Presidenti Biden, në fjalimin që pritet ta mbajë pasdite, do të flasë për histori heroizmi nga përballja me turmën e dhunshme, të frymëzuar nga ish presidenti Trump, që sulmoi Kapitolin dhe kërcënoi punonjësit e zgjedhjeve në përpjekjet për të mos lejuar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale. Ai do të bëjë thirrje për unitet.

Por presidenti demokrat nuk mund të shpërfillë shenjat paralajmëruese se kjo mund të përsëritet.

Në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar për Kongresin, kandidatët që mohuan rezultatin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të vitit 2020 humbën në shumë gara të rëndësishme.

Megjithatë, shumë prej ligjvënësve që ngritën pretendime të pabaza për manipulim të zgjedhjeve ose justifikuan dhunën e 6 janarit vazhdojnë të jenë në pushtet dhe janë fuqizuar rishtazi.

Fushata e Trump për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ka patur një fillim të ngadaltë, por ai ka shumë fonde dhe disa rivalë të mundshëm të tij nga partia republikane kanë përmendur gjithashtu pretendimet e tij të rreme për manipulim të zgjedhjeve të vitit 2020.

Gjithashtu, disa ligjvënës që i bënë jehonë gënjeshtrave të tij në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve janë angazhuar në përpjekjet për të penguar zgjedhjen e ligjvënësit Kevin McCarthy në postin e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, pavarësisht thirrjeve të ish Presidentit Trump për t’i dhënë fund kundërshtimit të tyre dhe për të mbështetur McCarthy.

Kaosi i zgjedhjes së kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve “ka të bëjë me shkatërrimin e një lloji tjetër të institucionit “, tha ligjvënësja demokrate Pramila Jayapal nga shteti i Uashingtonit, e cila ndodhej në ndërtesën e Kongresit, kur ajo u sulmua më 6 janar të vitit 2021.

Atë ditë, protestuesit bllokuan disa ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve, por nuk arritën të hynin brenda.

Tani disa ligjvënës po ndihen të bllokuar në të njëjtën dhomë nga votimet e përsëritura dhe të pafrytshme për Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Aty po vazhdon ekstremizmi, elementët e Trumpizmit, traditat nuk kanë rëndësi”, thotë ligjvënësi demokrat Mike Quigley nga Illinois. “Nuk ka të bëjë me qeverisjen, ka të bëjë me mbrojtjen e një këndvështrimi ekstremist”.

Ligjvënësja demokrate Annie Kuster tha: “Është një pakicë shumë e vogël që dëshiron ta zhysë këtë institucion në kaos”.

Të paktën nëntë persona që ishin në Kapitol më 6 janar 2021, vdiqën gjatë ose pas trazirave, përfshirë një grua që u qëllua dhe u vra nga policia ndërsa u përpoq të hynte brenda sallës së Dhomës së Përfaqësuesve dhe tre mbështetës të tjerë të Trump, të cilët sipas autoriteteve pësuan urgjenca mjekësore.

Dy oficerë policie bënë vetëvrasje në ditët që pasuan, dhe një oficer i tretë, oficeri i policisë së Kapitolit, Brian Sicknick, u rrëzua dhe vdiq pasi u përball me protestuesit. Analiza mjeko-ligjore konstatoi më pas se ai vdiq nga shkaqe natyrale.

Policia njoftoi disa muaj më vonë se dy oficerë të tjerë të saj që po mbronin Kapitolin gjatë protestës së dhunshme, Kyle DeFreytag dhe Gunther Hashida, u vetëvranë.

Ligjvënësit mbajtën heshtje prej 140 sekondash në nderim të atyre oficerëve, ndërsa disa nga familjet thanë emrat e tyre dhe një kambanë ra në nder të tyre.

“Do të doja që të mos kishim nevojë të mblidheshim këtu”, tha Ken Sicknick, vëllai i Brian Sicknick, pas ceremonisë.

Pas rezultateve të pakënaqshme të zgjedhjeve të 8 nëntorit për aleatët e zotit Trump, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e 6 janarit e përfundoi punën e tij me një rekomandim drejtuar Departamentit të Drejtësisë për të ngritur akuza penale ndaj ish-presidentit. Vendimin për këtë rekomandim do ta marrë fillimisht prokurori i posaçëm dhe më pas ai duhet të marrë një miratim përfundimtar nga Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland.

Ndërkohë që hetimet e Kongresit kanë përfunduar, çështjet penale vazhdojnë për 950 të arrestuar dhe të akuzuar lidhur sulmin e dhunshëm në Kapitol dhe zoti Trump dhe një numër i madh i ish-bashkëpunëtorëve të tij mbeten nën hetim. Gjyqi i dytë fillon këtë javë për anëtarët e grupit të ekstremit të djathtë, “Proud Boys” .

Në një hap të matur, por domethënës, Kongresi në dhjetor ndryshoi Ligjin e Numërimit të Votave për të kufizuar rolin e Nëndëspresidentit në numërimin e votave elektorale, për ta bërë më të vështirë për ligjvënësit individualë që të kundërshtojnë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Pas gjithë kësaj, presidenti Biden, i cili e bëri reformën zgjedhore një nga shtyllat e axhendës së tij për t’i dëshmuar botës se demokracitë punojnë për qytetarët e tyre, kishte thënë se shpresonte se kjo është “hera e parë që vërtet po tejkalojmë problemet e nxitura nga ngjarjet e 6 janarit. Gjërat po zgjidhen.”

Më pas erdhi koha e konfliktit për të zgjedhur kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, një gjë e rrallë në historinë e Kongresit.

“Dhe tani, për herë të parë në 100 vjet, ne nuk mund të ecim përpara?” tha Biden në fillim të kësaj jave. “Nuk është një imazh i mirë. Nuk është gjë e mirë.”

“Si mendoni se i duket kjo pjesës tjetër të botës?”

Demokratët votuan unanimisht për kreun e tyre të ri të pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, një ligjvënës nga Nju Jorku, duke marrë pa probleme postin udhëheqës nga Pelosi.

Dy vjet pas 6 janarit dhe largimit të  Trump, republikanët janë tani partia e fraksioneve dhe mungesës së rregullit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button