Spitali i Strugës është i degraduar, pasi e udhëheqë politika, partia dhe jo profesionalizmi, vlerësoi Aleanca

Partia opozitare, Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në lidhje me kushtet jo të mira në Spitalin e Strugës, duke theksuar që përkundër premtimit të BDI-së për ndërtimin e një spitali të ri, akoma pacientët duhet të vizitojnë spitalin e degraduar, transmeton Portalb.mk.

“Në shikim të parë duket e çuditshme, por kur kujton partinë që është 20 vite në pushtet dhe gjendjen e përgjithshme shoqërore tek ne, e kupton se s’ka sesi edhe shëndetësia (spitalet) të dallojnë nga lëmitë e tjera, ku vërehet degradimi total nga mosfunksionimi i sistemit”, raportojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ata theksojnë që objekti i spitalit ka mbi gjashtë dekada, ndërsa është i paraparë për 30 mijë banorë.

“Kryetari i BDI – së, nga Struga, premtoi para 5 – 6 viteve se në Strugë do të ndërtojmë Spital të ri, e keni edhe në Programin e Zgjedhjeve Parlamentare 2020, e që është duke rezultuar si thënja jonë e famshme: PRIT GOMAR SE DO MBI BAR”, deklarojnë nga Aleanca, duke vlerësuar që “spitali dhe shëndetësia është degraduar, pasi spitalin e menaxhon politika, partia dhe jo profesionalizmi’.

Ndryshe, mungesa e mjekëve pediatër në Ohër ka detyruar të gjithë pacientët dërgohen për hospitalizim në Strugë. Gjatë sezoneve virusale mjekët në Strugë janë të mbi-ngarkuar me punë ndërsa kolonat e pritjes arrijnë deri jashtë objektit të pediatrisë. Situata e tillë ka një vit që nuk po gjen zgjidhje ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë heshtin. Shëndetësia e RMV-së, me theks të veçantë largimin e kuadrit mjekësor nga vendi, mori vërejtje edhe në Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian.

Autoritetet zyrtare në Maqedoninë e Veriut nuk disponojnë numrin e saktë të mjekëve që kanë ikur nga ky vend. Por, nga Oda e Mjekëve bëjnë të ditur se brenda pesë vjetëve – nga viti 2017 deri më 2022 – gjithsej 568 mjekë kanë kërkuar vërtetim se ndaj tyre nuk zhvillohet asnjë procedurë para Gjykatës së Nderit. Ky vërtetim u nevojitet të gjithë atyre që shkojnë për specializim jashtë vendit, por edhe atyre që largohen përfundimisht nga Maqedonia e Veriut. Nga Oda e Mjekëve, gjithashtu, bëjnë të ditur se nga viti 2012 deri në vitin 2016, me vërtetimet e njëjta janë pajisur më shumë se 600 mjekë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button