Kryesimi suedez me BE-në, mbështetje do të ketë, por me program “koprrac” për eurointegrimet e RMV-së

Bashkimi Evropian këtë gjashtëmujor do të kryesohet nga Suedia, e cila tashmë i ka shpalosur prioritetet e saj. Në krye të tyre qëndron lufta në Ukrainë, konkurreca, tranzicioni i gjelbërt dhe energjetik, vlerat demokratike dhe sundimi i të drejtës, ndërsa te kjo e fundit pritet që këtu të trajtohen çështjet në Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Sekretarja shtetërore e Sekretariatit për Çështje Evropiane, Drita Abdiu Halili, për Portalb.mk tha se gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës suedeze me Këshillin e Bashkimit Evropian, u theksua se marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor dhe procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian do të jenë mes çështjeve të rëndësishme të kësaj presidence, veçanërisht duke pasur prasysh aspektin e sigurisë për të gjithë Evropën. Me këtë, sipas saj, konfirmohen pritjet e vendit për mbështetje të vazhdueshme në procesin integrues dhe reformues nga ana e Suedisë, mbështetje të cilën vendi ynë e ka marrë në kontinuitet nga ky shtet mik. Për më tepër, nënvizon Halili, Suedia jep mbështetjen e saj edhe me projekte konkrete përmes ndihmës për zhvillim dhe reforma.

Drita Abdiu Halili, foto nga Sekretariati për çështje evropiane

“Siguria, konkurrueshmëria, tranzicioni i gjelbër dhe energjetik, vlerat demokratike dhe shteti i së drejtës. Këto janë prioritetet e Presidencës suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2023. Suedia po merr Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në një kohë sfidash historike për shtetet anëtare dhe Bashkimin Evropian në tërësi. Pushtimi i paligjshëm, i papranueshëm dhe i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës është një kërcënim për sigurinë evropiane, me pasoja të rënda për sa i përket migracionit, si dhe furnizimit global të ushqimit dhe energjisë. Edhe përkundër periudhës sfiduese në të cilën Suedia merr kryesimin, ne presim që ajo të fokusohet në përforcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit me vendet fqinje të BE-së të cilët kanë filluar procesin e anëtarësimit, por edhe me ata vende të cilët nuk janë përfshirë në këtë proces”, thekson Halili.

Sa i përket procesit të skriningut me Komisionin Evropian, Halili thotë se presin që i njëjti të vazhdojë me dinamikën dhe sipas agjendës së paraparë.

“Deri më tani kemi përmyllur skriningun shpjegues dhe bilateral për klasterin e parë “Vlerat Fundamentale”, kurse në fund të janarit do të vazhdojmë me skriningun bilateral për Klasterin e dytë – “Tregu i brendshëm”. Pëyrmbyllja e procesit të skriningut për Maqëdoninë e Veriut pritet të ndodhë në nëntor të këtij viti, dhe sigurisht që nga presidenca suedeze me Këshillin e Bashkimit Evropian presim mbështetje dhe shtytje akoma më të madhe për sa i përket këtij procesi”, tha Halili.

Ashtu siç është paraparë në Kornizën Negociuese për Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, thekson Halili, vendi ynë duhet që deri në fund të procesit të skriningut të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, gjegjësisht futjen e popujve: bullgar, malazez dhe kroat në kushtetutë, që paraqet kushtin apo kompromisin kryesor politik që vendi ynë obligohet ta përmbush për të vazhduar procesin eurointegrues, dhe për ta bërë këtë sigurisht që nevojitet një konsenzus më i gjërë politik dhe shoqëror.

Malinka Ristevska Jordanova

Ndryshe nga Halili, Malinka Ristevska Jordanova, nga Instituti për politika evropiane, në analizën e fundit për Portalb.mk që pritet të publikohet nesër, mendon se programi për Ballkanin Perëndimor i Suedisë është koprrac, duke mos pasur të shënuara hapat konkrete.

Ajo shton se prioritetet e kryesimit Suedez nuk janë befasi. Ato janë vazhdimësi e prioriteteve të kryesimit Çek, sigurisht me ngjyrë të theksuar Suedeze. Programi konciz paralajmëron një angazhim të fokusuar të aparatit administrativ dhe diplomacisë me përvojë të këtij vendi nordik. Megjithatë, nuk pritet që kryesimi të kalojë pa sfida. Disa nga ato vijnë nga vetë konstelacioni politik brenda Suedisë, ndërsa më së shumti – nga konstelacionet ndërkombëtare dhe gjendjet në BE.

“Prioriteti i katërt dhe i pritshëm, janë vlerat demokratike dhe sundimi i të drejtës. Është theksuar lufta kundër krimit të organizuar, por edhe çështja e imigracionit. Me siguri që nëpërmjet prizmës të këtij prioriteti të fundit do të vlerësohen edhe marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, siç është shënuar dhe në program. Përndryshe, Programi është relativisht koprrac në fjalë në lidhje me zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor, duke thënë se do ta vazhdojë “procesin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, me mbështetje ndaj reformave në procesin e qasjes, sigurisht duke i dhënë prioritet gjyqësisë dhe sundimit të së drejtës. Mirëpo, si edhe shumë herë deri tani, aktiviteti i ardhshëm i kryesuesit nuk mund të parashihet vetëm nëpërmjet koprracisë ose pasurisë së premtimeve, por edhe nëpërmjet hapave konkretë. Kështu që, mund të pritet kujdes, por edhe qëndrueshmëri”, nënvizon Ristevska.

Suedia, shton Ristevska Jordanova, ka strategji të qartë për mbështetjen e reformave në rajon dhe është fuqishëm e pranishme nëpërmjet përfaqësive të saj diplomatike dhe implementimit të Programit të veçantë për mbështetjen e reformave – SIDA.

“Kështu, presidenca aktuale me BE-në është edhe njohëse e mirë e gjendjeve në Ballkan. Edhe në makinerinë e saj profesionale të angazhuar për Presidencës ka diplomatë me përvojë që e njohin Ballkanin, e midis tyre edhe sekretari shtetëror për çështjet evropiane Kristian Danielson, midis tjerash, edhe si drejtor i mëparshëm gjeneral në Direktoratin Gjeneral për zgjerim”, thotë Ristevska.

Megjithatë, sipas saj, edhe pse analistët vlerësojnë se Ballkani Perëndimor do të jetë në hije të luftës së Ukrainës edhe këto gjashtë muajt në vijim, Suedia do të duhet të përballet edhe me krizat që vazhdojnë të digjen në Ballkan, ndërsa  BE-ja tashmë më gjatë kohë është në atë modusin e “fikjes së zjarreve”, para së gjithash – gjendjeve në veriun e Kosovës dhe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button