Shkupi sërish në dhjetë qytetet më të ndotura, në Manastir dhe Strumicë pushuan së zbatuari masat për tejkalimin e pragut të alarmimit

Nga sot në Manastir dhe Strumicë nuk vlejnë më rekomandimet dhe masat për tejkalimin e pragut të alarmit pasi dy ditët e fundit këto qytete kishin nivel të lartë të ndotjes, transmeton Portalb.mk.

“Sipas të dhënave të Sistemit Shtetëror të Monitorimit të Cilësisë së Ajrit të Ambientit më 05.01.2023, përqëndrimet mesatare ditore të grimcave të pezulluara PM10 janë nën pragun e përcaktuar të alarmimit prej 150 мg/m3, epizodi i dy ditëve radhazi është ndërprerë në Manastir dhe Strumicë dhe pushojnë së zbatuari rekomandimet dhe masat  për tejkalimin e pragut të alarmimit”, thonë nga MMJPH.

Në Shkup këto ditë gjendja me ndotje është alarmante. Sipas platformës “I-Q Air”, indeksi i ndotjes në Shkup sot në orën 11 është 178. Në Shkup janë matur 106 mikrogramë për metër kub grimca PM 2.5, ndërsa grimcat PM 10 kanë përqendrim 167.2 mikrogramë për metër kub.

Sot, me këtë shkallë të ndotjes, Shkupi është në pozitën e 9-të sipas listës së qyteteve të ndotura në botë.

Niveli i lartë i ndotjes në kryeqytet është dhe arsye që partitë të hedhin akuza ndaj njëra tjetrës për atë se kush i ka fajet që qytetarët po helmohen.

Përmes një komunikate, LSDM-ja në pushtet akuzon pushtetin lokal se nuk po merret me ndotjen.

“Situata me ajrin e ndotur në qytetin e Shkupit është alarmante, dhe pushteti lokal i VMRO-DPMNE-së, Levicës dhe Arsovskës nuk po bëjnë asgjë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Duke u marrë me tendera, ndikime biznesi dhe komisione, ata harruan atë që u premtuan qytetarëve një vit më parë dhe ulën ndjeshëm fondet për mjedisin në buxhetin e qytetit. Ata gjithashtu shkurtuan subvencionet për blerjen e inverterëve për personat fizikë. Transporti publik nuk funksionon, nuk ka asnjë shenjë nga 100 autobusët elektrikë të shpallur me pompozitet. Nuk ka asnjë nga pesë megaparqet e paralajmëruara. Deponitë e egra po mbijnë vazhdimisht, e të vjetrat nuk pastrohen. Për shkak të paaftësisë së pushtetit lokal të VMRO-DPMNE-së, Levicës dhe Arsovskës, Shkupi këto ditë është ndër qytetet më të ndotura në botë dhe shkupjanët thithin ajër që është i dëmshëm për shëndetin e tyre”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

VMRO-DPMNE opozitare dje edhe përmes një komunikate për media ka akuzuar se qeveria ka ardhur në pushtet me premtime për ajër të pastër dhe shtatë vjet më vonë asgjë nuk ka ndryshuar.

“Katër vite sa kishin pushtetin lokal nuk morën asnjë nga konkluzionet që morën deputetët e tyre dhe shtatë vite kur ishin në pushtetin qendror nuk realizuan asnjë projekt apo masë më të madhe me karakter kombëtar për të luftuar kundër ndotjes”, akuzoi VMRO-DPMNE.

Qytetarët të zbatojnë rekomandimet e IShP-së për shkak ndotjes së lartë të ajrit.

Instituti për qytetet me cilësi “ekstrem të keqe” rekomandon:

  • Qëndroni në shtëpi nëse nuk keni nevojë të dilni jashtë.
  • Qëndroni në shtëpi ose zvogëloni sforcimin fizik, sidomos jashtë dhe sidomos nëse keni simptoma të tilla si kollë ose dhimbje të fytit.
  • Të rriturit dhe fëmijët me probleme të mushkërive, të rriturit me probleme të zemrës dhe të moshuarit duhet të shmangin aktivitetin e rëndë fizik.
  • Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë në shtëpi.
  • Njerëzit me astmë mund të kenë nevojë të përdorin më shpesh inhalatorin e tyre. Nëse duhet të dilni jashtë, vëndoni maska ​​me efikasitet të provuar.
  • Personat me sëmundje kronike duhet ta marrin me rregull terapinë dhe nëse është e nevojshme, nëse ndjejnë simptoma, duhet ta kontaktojnë menjëherë mjekun amë ose spitalin.
  • Shmangni qëndrimin dhe aktivitetet në natyrë (sporte, rekreacion).
  • Gjatë qëndrimit jashtë mbani maska mbrojtëse me efikasitet të dëshmuar.
  • Mos i hapni dritaret në shtëpinë tuaj.
  • Përdorni një pastrues ajri  pa jonizator(për personat veçanërisht të ndjeshëm me astmë, sëmundje kronike – sëmundje të frymëmarrjes ose të qarkullimit të gjakut dhe fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna).

Instituti thotë se rekomandimet e lartëpërmendura vlejnë për qytetet me indeks të dobët të cilësisë së ajrit:

“Kushdo që përjeton shqetësime të tilla si sytë e skuqur ose djegie, kollë ose dhimbje të fytit duhet të marrë parasysh reduktimin e aktivitetit, veçanërisht jashtë. Forconi sistemin imunitar. Hani një dietë të shëndetshme me shumë fruta dhe perime”, thuhet në rekomandimet.

Kujtojmë se prej disa ditësh, Shkupi dhe disa qytete tjera të Maqedonisë së Veriut ndodhen në 10 qytetet më të ndotura në botë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button