Analizë: Sa i kanë përdorur rrjetet sociale zyrtarët dhe institucionet e RMV-së në vitin 2022?

Analiza e bërë nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euro-Atlantike (IQMPEA) nxorri në pah një stagnim dhe rënie të përdorimit të mediave sociale nga zyrtarët dhe institucionet publike në vitin 2022, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

115 nga 120 deputetë kanë qenë të pranishëm të paktën në një rrjet social, 20 nga 21 ministra kanë përdorur të paktën një rrjet social, ndërsa presidenti i shtetit ka qenë tërësisht online.

“Megjithatë, me sa duket politikanët dhe institucionet publike dalëngadalë po harrojnë se prania e tyre aktive në rrjetet sociale është një segment i rëndësishëm i transparencës dhe llogaridhënies, të cilat janë pjesë e pandashme e parimit të mirëqeverisjes”, thuhet në analizën e rregullt vjetore të IQMPEA, të përgatitur nga komunikologu Bojan Kordallov dhe në të cilën kanë qenë të përfshira edhe studentet Angella Petkova, Nikolla Stojanovska dhe Karolina Gjurkovska nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun pranë Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup.

Pikërisht ai ekspozimi i autoriteteve dhe institucioneve ndaj komenteve, kritikave dhe opinioneve të qytetarëve nëpërmjet mjeteve dixhitale duhet marrë seriozisht si edhe një faktor më shumë për atë nëse ata janë vërtet të gatshëm të përballen me korrupsionin, klientelizmin dhe vendimmarrjen vetëm në rrethe të ngushta partiake.

“Autoritetet dhe politikanët, qoftë në nivel qendror apo në atë lokal, tashmë për dy vite me radhë po flasin për atë se sa janë të përkushtuar për transformimin dixhital të shoqërisë. Mirëpo ata në masë të madhe dështuan sa i përket segmentit të mundësisë për komunikim dixhital me qytetarët dhe mediat dhe për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të shpejta online. Jemi dëshmitarë të një komunikimi të njëkahshëm, rënies së numrit të institucioneve si përdorues aktivë të mjeteve dixhitale, ndërsa për cilësinë e përmbajtjeve nuk mund të flitet sepse pjesa më e madhe e tyre janë kthyer në njoftime klasike politike ku pothuajse i gjithë fokusi është te politikanët dhe axhendat e tyre, e jo tek nevojat e qytetarëve”, thotë Kordallov, autori i kësaj analize.

Presidenti është i pranishëm online në të gjitha rrjetet, deputetët nuk e duan Twitter-in

Analiza e IQMPEA tregon një rezultat pozitiv të pandryshuar sa i përket presidentit Stevo Pendarovski. Ai, në vitin 2022, si edhe në tre vitet paraprake, ka qenë njëkohësisht i pranishëm online në faqen e tij zyrtare, si dhe aktiv në Facebook, Twitter dhe Instagram.

Sa i përket deputetëve, gjatë vitit të kaluar 115 nga gjithsej 120 deputetë kanë qenë aktivë në Facebook. Si kanal për komunikim të mundshëm me qytetarët Instagrami është përdorur nga 35 deputetë, njësoj si në dy vitet paraprake.

Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për rrjetet sociale më të njohura, me sa duket Twitter-i është më pak tërheqës për parlamentarët. Vitin e kaluar në këtë platformë kanë qenë të pranishëm 18 deputetë, gjashtë më pak se në vitin 2021.

Vetëm dhjetë deputetë i kanë përdorur njëkohësisht të tre rrjetet sociale – Facebook, Twitter dhe Instagram. Nga ana tjetër katër përfaqësues të popullit nuk kanë pasur profilin apo kanalin e tyre në asnjë nga rrjetet sociale. Pra, deputetja Merita Kollçi Koxhaxhiku nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Stojan Millanov nga Partia Socialiste e Maqedonisë (PSM) dhe Dragoljub Filiposki dhe Panço Minov nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) nuk kanë pasur asnjë mundësi për komunikim me qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale.

Në analizë vihet re një përparim evident në ueb-faqen e re të Kuvendit të Maqedonisë, e cila ofron transparencë dhe mundësi për komunikim të drejtpërdrejtë me deputetët.

Facebook-u më i famshëm te ministrat

Edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e përfundoi vitin 2022 me një rënie të lehtë të përdorimit të mediave sociale. Nga gjithsej 21 ministra, 20 kanë qenë aktivë në Facebook. Instagram-i ka qenë zgjedhja e 17 prej tyre, ndërkohë që Twitter-i, ashtu si edhe te deputetët, është përdorur nga numri më i vogël i ministrave – vetëm 12. Gjithsej 12 ministra kanë qenë aktivë në të gjitha platformat e listuara, ndërsa një ministër, Risto Penov i cili është në krye të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale erdhi në muajin tetor, nuk ka përdorur asnjë nga mediat sociale.

Sipas analizës, të gjitha 17 institucionet kanë pasur ueb-faqet e tyre zyrtare dhe po aq kanë qenë aktive edhe në Facebook. Prezente në Twitter kanë qenë 8 ministri, ndërsa Instagram-in e kanë zgjedhur vetëm dy prej tyre. Kanale zyrtare në YouTube kanë përdorur 4 ministri.

Në këtë analizë thuhet se lajm pozitiv është se për të dytin vit radhazi nuk ka asnjë ministri që nuk ofron të paktën dy opsione për komunikim dhe kontakt nëpërmjet mjeteve dixhitale me qytetarët dhe mediat.

“Me sa duket pandemia e COVID-19 e theksoi nevojën për një prezencë të përshpejtuar të institucioneve në kanalet dixhitale, por sipas të gjitha anketave, te qytetarët ende ka pakënaqësi për nivelin e shërbimeve publike që ato i ofrojnë. Krahas kësaj, shumica e shërbimeve janë ende të disponueshme vetëm në formë të printuar ose, në rastin më të mirë, në një formë hibride të aplikimit elektronik dhe dhe marrjes së tyre në sportel. Është e nevojshme të pranohet se qytetarët janë ata që i financojnë këto shërbime publike dhe ata kanë të drejtë të marrin shërbime të shpejta, efikase dhe në kohë, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Kjo gjithashtu nënkupton edhe mundësinë për një zgjedhje për çdo person, për atë nëse dëshiron ta kryejë shërbimin online, në formë të printuar, të drejtohet në sportel ose ta bëjë atë në pak sekonda përmes një ueb-faqeje zyrtare ose një aplikacioni në celular për shërbime elektronike. “, theksoi Kordallov.

Trembëdhjetë komuna të pa pranishme në rrjetet sociale

Nga gjithsej 81 kryetarë të komunave, vitin e kaluar në Facebook kanë qenë aktivë 80 prej tyre, 40 në Instagram dhe vetëm 6 prej tyre në Twitter.

Katër kryetarë komunash kanë përdorur njëkohësisht Facebook-un, Twitter-in dhe Instagram-in, ndërsa vetëm një kryetare komune, Zhaklina Jovanovska nga Nagoriçani i Vjetër nuk ka qenë e pranishme në asnjë rrjet social.

Kur bëhet fjalë për komunat, të 81 komunat kanë pasur ueb-faqet e tyre zyrtare. 60 kanë qenë të pranishme në Facebook, 39 në YouTube, 9 në Instagram dhe vetëm dy komuna në Twitter.

Ueb-faqe dhe prani në të gjitha rrjeteve sociale është vënë re vetëm tek Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Karposhit, ndërsa qytetarët nuk kanë pasur qasje online nëpërmjet asnjërit nga rrjetet sociale me plot 13 komuna.

“Një problem shumë të madh paraqesin llogaritë e mbyllura të zyrtarëve publikë. Natyrisht që edhe ata e kanë të drejtën e tyre për privatësi, por kufiri mes atyre si individë dhe funksionit që e bëjnë është i ngushtë. Prandaj, i këshillojmë që ose t’i hapin profilet e tyre në rrjetet sociale ose të hapin faqe dhe kanale të tyre zyrtare nëpërmjet të cilave qytetarët dhe mediat do mund t’i kontaktojnë, t’u dërgojnë mendime, sugjerime dhe kritika”, tha Kordallov.

Edhe këtë vit rekomandimet themelore për institucionet dhe zyrtarët mbeten të njëjta dhe përfshijnë komunikimin e dyanshëm, ndërtimin e ekipeve interne profesionale për marrëdhënie me publikun dhe vendosjen e kanaleve dixhitale si pjesë e elementeve të detyrueshme për komunikimin me qytetarët dhe mediat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button