Pakënaqësi në degët e BDI në Tetovë dhe Saraj

Largimi i Blerim Bexhetit më moment të fundit nga lista e ministrave në qeverinë e re, ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në degën partiake në Saraj. Përkrahësit e tij vlerësojnë se në këtë mënyrë i është bë padrejtësi jo vetëm Blerim Bexhetit, por degës së Sarajit në përgjithësi, ku BDI në zgjedhjet e fundit ka fituar 10.700 vota transmeton gazeta Lajm.

“Çdo respekt për kandidatët që janë caktuar për ministra, sepse secili prej tyre padyshim ka dhënë kontributin e vet për BDI-në si parti. Mirëpo habitemi se si kanë harruar udhëheqësit e BDI-së se po të kalonte Blerim Bexheti në vitin 2007 prej PPD-së në PDSH, BDI sot ndoshta nuk do të ekzistonte në skenën politike si partia më e madhe shqiptare në Maqedoni”, deklaroi për “Lajm”, një zyrtar nga dega partiake në Saraj.

Bexheti deri në fund të skadimit të afatit për caktimin e emrave të ministrave të rinj, konsiderohej si kuadër i sigurt që nuk kontestohej prej askujt.

Pakënaqësi të mëdha pas caktimit të emrave të ministrave të rinj, janë paraqitur edhe në degën e Tetovës dhe disa komunave përreth, për shkak të anashkalimit të Hazbi Likës, për të cilin flitej se ka pretendime për postin e ministrit të ekologjisë.

“Në vend se si ish epror i lartë i UÇK-së ai të ketë përparësi gjatë caktimit të ministrave, po del se përparësi kanë ata që në vitin 2001 ose kanë ikur refugjatë në Kosovë, ose kanë bartur ujë, për shkak se janë frikësuar të dalin në front dhe të përballen me armikun. Anashkalimi i Hazbi Likës po merr përmasa shqetësuese dhe nëse nuk jepen arsyetime të fuqishme për shkaqet e këtij anashkalimi, ne si përkrahës të Likës, do ta shqyrtojmë seriozisht angazhimin tonë të mëtutjeshëm në radhët e BDI-së”, deklaroi për “Lajm” një përkrahës i Likës.

Lajme të ngjashme

Komentet

Back to top button