Federata Evropiane e Gazetarëve: Ka pasur gjashtë sulme ndaj gazetarëve në Kosovë gjatë përshkallëzimit të tensioneve

Federata Ndërkombëtare dhe Evropiane e Gazetarëve (IFJ-EFJ) ngre alarmin për kërcënimet në rritje që rrethojnë gazetarët dhe punonjësit e medias që raportojnë për tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nga veriu i Kosovës dhe i bashkohet degës së Asociacionit të Gazetarëve në Kosovë (AGK) duke kërkuar nga autoritetet kompetente, duke përfshirë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Forcat e Kosovës (KFOR) dhe policinë, që të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e gazetarëve që raportojnë në terren, transmeton Portalb.mk.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë përshkallëzuar kohët e fundit, veçanërisht në qytetin e ndarë të Mitrovicës, me Beogradin (Serbi) që akuzon Prishtinën (Kosovën) për shkeljen e të drejtave të komunitetit serb. Barrikada të reja u ngritën të martën më 27, disa orë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq vendosi ushtrinë në nivelin më të lartë të gatishmërisë. Të shtënat dhe bllokimet e fundit rrugore i bënë vendet të besojnë se një konflikt i dhunshëm mund të shpërthejë së shpejti: në Konventën Kombëtare në Parlamentin e Serbisë, kryeministrja Ana Brnabiç tha se tensionet ishin “në prag të konfliktit të armatosur”.

Përderisa ishte bërë përparim i rëndësishëm sa i përket sigurisë së gazetarëve në Kosovë, falë punës së partnerëve të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, sfera mediatike është e rrezikuar nga sulmet e fundit fizike dhe implikimi i tyre në lirinë e shtypit në vend dhe raportimin e zhvillimeve në pjesën veriore të tij.

Gazetarja e Albania Live, Leonita Bajrami u vu në shënjestër të eksplozivëve piroteknikë teksa po raportonte për barrikadat e reja atë të martë, në sulmin e gjashtë kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias në veri të Kosovës. Më herët gjatë muajit, u raportuan pesë sulme të tjera.

Një ekip i Kallxo.com u sulmua afër shkollës teknike të Mitrovicës më 9 dhjetor dhe RTV Dukagjini u sulmua me eksploziv të nesërmen; më 19, një ekip prej dy anëtarësh i Klan Kosova po raportonte pranë barrikadave në Zubin Potok kur persona të maskuar i gjuajtën me gurë. Një ekip i TëVë1 u gjend nën një sulm shpërthyes në Mitrovicë më 20, dhe më 26, një ekip tjetër nga Klan Kosova kishte të njëjtën përvojë që kishte ekipi i mëparshëm nga e njëjta media kur u thyen xhamat e veturës pas një sulmi me gurë. Shoferi Elsad Sinani ka qenë i pranishëm të dyja herët.

“Jemi të lehtësuar kur dëgjojmë se tensioni është ulur pasi serbët filluan të çmontojnë barrikadat në veri të Kosovës më 29 dhjetor, por përpjekjet diplomatike duhet të vazhdojnë në mënyrë që gazetarët të mund të veprojnë të sigurt në rajon”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez.

“Tani duhet të bëjmë përparim në dialogun e nevojshëm për të garantuar sigurinë e gazetarëve, por edhe për të bërë më në fund përparim në shumë raste të mosndëshkimit për vrasjet dhe zhdukjet e gazetarëve në rajon.”

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) Anthony Bellanger tha: “Sulmet kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias, të cilat në fund të fundit cenojnë lirinë e shtypit, janë të papranueshme. IFJ mirëpret përparimin që është bërë për të ulur tensionet dhe kujton se shumë raste të gazetarëve të zhdukur dhe të vrarë janë ende të pandëshkuar në rajon. Kjo është arsyeja pse miratimi i një Konvente të OKB-së për sigurinë dhe pavarësinë e gazetarëve është shumë e nevojshme.”

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button