Së shpejti memorandum bashkëpunimi RMV – Turqi në energjetikë

Memorandumi i bashkëpunimit në fushën e energjetikës në mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë është në fazën përfundimtare dhe së shpejti pritet të nënshkruhet nga palët. Kështu njoftoi Ministria e Ekonomisë pas përfundimit të takimit të sotëm të ministrit të Energjetikës dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Fatih Donmez me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshin, transmeton Portalb.mk.

Ministrat diskutuan për drejtimet e mundshme për zhvillim dhe thellim në fushën e energjisë, në radhë të parë në fushën e furnizimit me energji elektrike dhe gaz natyror, duke pasur parasysh lëvizjet e politikave energjetike në kuadër të krizës energjetike.

“Që nga fillimi i krizës energjetike, vendi i parë që iu drejtuam për mbështetje ishte Ministria e Energjetikës dhe Burimeve Natyrore e Turqisë. Sot u shfaq interesim për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të takuar vendin tonë dhe qytetarët tanë”, tha Bekteshi.

Nga Ministria e Ekonomisë njoftuan se në fazën përfundimtare është Memorandumi për bashkëpunim në energjetikë me Turqinë, i cili pritet të nënshkruhet në periudhën e ardhshme dhe do të hapë mundësi për rritje të bashkëpunimit dhe investimeve në fushën e energjisë ndërmjet dy vendeve.

“Jam i bindur se së bashku do ta kalojmë këtë krizë dhe do të hapim perspektiva të reja për zhvillimin e ekonomive të të dyja vendeve. Ne si Maqedoni e Veriut do të marrim pjesë në çdo iniciativë të Republikës së Turqisë, siç është tregu rajonal i energjisë elektrike dhe nisma të tjera”, theksoi Bekteshi.

Duke përmendur 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes RMV-së dhe Turqisë, Donmez tha se janë duke i zhvilluar marrëdhëniet më tej çdo vit.

“Në këto takime shprehëm edhe një herë se jemi të gatshëm të mbështesim kërkesën në rritje për energji për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut, si përmes sipërmarrësve tanë turq, ashtu edhe përmes institucioneve tona shtetërore. Dua të shpreh edhe një herë se jemi të gatshëm të përmbushim qoftë kërkesën për gaz natyror, qoftë kërkesën për energji elektrike kur të krijohen kushte të favorshme”, tha Donmez.

Ai duke përmendur memorandumin që pritet të nënshkruhet, shtoi se në muajin shkurt do të organizojnë një samit ndërkombëtar të gazit ku e ka ftuar edhe Bekteshin.

Në takim morën pjesë edhe drejtori i SHA EMV-së, Vasko Kovaçevski, drejtori ekzekutiv i SHA REN, Bajram Rexhepi, drejtori i i MEPSO-s, Orhan Murtezani, drejtori i SHA GA-MA, Aleksandar Arsiq, si dhe kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë Marko Bislimovski.

Foto: Ministria e Ekonomisë

Ministri Donmez u takua edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovskin. Vizita e tij në RMV vjen pas marrëveshjes së nënshkruar dje në fushën e gazit natyror me Bullgarinë. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkok. Në takim u fol për marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve si dhe për sfidat në fushën e energjisë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, si dhe për trajtimin e pasojave në ekonomitë e vendeve, dhe intensifikimin e bashkëpunimit në këtë drejtim.

Pendarovski Donmez
Foto: Presidenca e RMV-së

Kujtojmë që me 28 dhjetor Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE) vendosi që nga 1 janari për 20,15 % të ulet çmimi i energjisë elektrike për më shumë se 70 mijë kompani të vogla në tregun e rregulluar, ndërsa çmimi për amvisëritë në bllokun e parë ulet për 4,11 %.

Së fundmi, drejtori gjeneral i SHA EMV, Vasko Kovaçevski ka bërë të ditur se plani për këtë vit është rritja e prodhimit të energjisë elektrike për 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button